Shumë medalje janë fituar në sportin e karatesë nga anëtarë të familjes Mahalla. Më të rëndësishmen deri më tani e ka fituar Fehmi Mahalla. Ai u stolis me medalje të artë në Kampionatin Evropian të vitit 2005, të mbajtur në Spanjë. Fehmi Mahalla është djali i axhës së Diellza Mahallës.
Diellza shpreson që një ditë t’i arrijë sukseset e Fehmiut, por e di mirë se rruga është e gjatë dhe duhet shumë punë e përkushtim.
Diellza Mahalla të premten në Budvë të Malit të Zi e fitoi medaljen e parë në nivelin e të rriturave. E fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Ballkanik, në kategorinë mbi 68 kilogramë. Ishte medalja e parë e saj, në garën e parë si seniore jashtë vendit.
“Vijë nga një familje me suksese të mëdha në sportin e karatesë. Vlen të përmendet djali i axhës, Fehmi Mahalla, që është kampion evropian. Ai ka edhe shumë suksese tjera në sportin e karatesë dhe është frymëzim për mua. Shpresoj që t’i ndjek hapat e tij dhe të arrijë të marrë medalje evropiane dhe botërore”, ka deklaruar Diellza për KOHËN.
Konkurrenca në kategorinë mbi 68 kilogramë në Ballkanik ishte e fortë, thotë Diellza. Luftën e parë e humbi 7:1 nga karateistja e Malit të Zi, Milena Jovanoviq, e cila e tërhoqi Diellzën në repesazh. Dhe mundësinë që ia ofroi repesazhi e shfrytëzoi maksimalisht.
Në luftën e parë të repesazhit e mposhti 6:2 karateisten nga Serbia, Ivana Peroviq. Më pas fitoi edhe ndaj Diellza Sejdijajt, karateistes tjetër nga Kosova.
“Ka pasur sportiste me shumë përvojë, që kanë medalje evropiane e botërore. Me to jam ndeshur. Mendoj se e kam dhënë më të mirën në tatami. Me punën e palodhshme të trajnerëve dhe përkrahjen e tyre, do t’i arrijë sukseset që i synoj. Falënderoj të gjithë familjarët, përkatësisht trajnerët e mi Gani Mahalla, Nebih Mahalla, Fehmi Mahalla dhe Halil Mahalla”, thotë karateistja ferizajase.
Me Diellzën në Budvë ishte babai i saj, Halili.
Halil Mahalla ndoqi nga afër garat dhe është ndarë shumë i kënaqur me punën që Diellza ka bërë.
“Ajo po vazhdon me stërvitje. Ka punuar shumë. Është kampione e shumëfishtë e Kosovës. Te seniorët është një arritje e madhe, sepse është hera e parë që mori pjesë te të rriturat. Kështu që po vazhdon mirë. Uroj t’i vazhdojë hapat e kampionit të madh, Fehmi Mahalla, i cili na motivon të gjithëve për punë. Kam bashkëpunim të vazhdueshëm me ta, me Fehmiun, Nebihun, Ganiun. Të gjithë e japim kontributin për aq sa mundemi”, deklaroi Halil Mahalla.
Medalje bronzi në kategorinë e njëjtë fitoi edhe Fortesa Orana. Ajo nisi me fitore 5:0 ndaj turkes Meltem Hocaoglu Akyol. Ndaj serbes Dijana Bota fitoi 6:0, ndërsa u mposht 3:2 në gjysmëfinale nga kroatja Nikolina Golombos.
Në luftë për medalje të bronztë e mposhti 2:0 Erdona Ziberin, që përfaqëson Maqedoninë e Veriut.
Në konkurrence individuale, karateistet e Kosovës në Ballkanik e kishin edhe një vend të pestë dhe dy vende të shtata.