Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e argjendtë në garën e xhudos Grand Prix Upper Austria. Të premten në Linz, Distria garoi në kategorinë deri 52 kilogramë, kurse finalen e humbi nga japonezja Iroha Oi.

Është kjo medalja e radhës për xhudisten 29-vjeçare, që tashmë ka një medalje të artë e një medalje të argjendtë olimpike.

Distria ishte bartëse e parë dhe nuk lejoi befasi deri në finale.

Në finale megjithatë u befasua. Distria filloi furishëm dhe kërkoi hedhjen në dy aksione. Madje iu afrua hedhjes. Në tentimin e tretë të saj, japonezja Oi realizoi kundërsulm për fitore me Ippon.

Oi është ish-kampione e botës për juniore dhe kadete si dhe një prej top-xhudisteve japoneze të gjeneratës së re.

Distria në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti amerikanen Jenna Schurr. Ndaj saj realizoi Ippon për 1:34 minuta.

Edhe më shpejt e mposhti serben Nikolina Nishaviq në çerekfinale. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur pas vetëm 29 sekonda.

Në gjysmëfinale, Distria e mposhti hungarezen me përvojë, Reka Pupp. Ndaj saj fitoi me uazari. E kontrolloi plotësisht luftën. Me Puppin, Distria tani i ka tetë fitore e një humbje.

Me të argjendtën, Distria fitoi 490 pikë në ranglistën botërore.