Skuadra e elitës së futbollit të Kosovës, Suhareka, dhe ajo e Ligës së Parë – Grupi A, kanë reaguar menjëherë me zyrtarizimin e trajnerëve të rinj. 

Të mërkurën, Vëllaznimi që e kishte prezantuar me bujë trajnerin Mirel Josa, njoftoi se ka ndarë rrugët me trajnerin e mirënjohur shqiptar. 

Josa, menjëherë të enjten, është bërë me skuadër të re dhe deri në fund të kampanjës do të jetë trajner i ri i Suharekës. 

Josa nga Vëllaznimi u largua kur skuadra ishte në vendin e pestë me 32 pikë, gjashtë pikë më pak se liderja Drenica, që po shkon sigurt drejt kthimit në Superligën e Kosovës. 

Ndërkohë, Suhareka është në vendin e tetë me 29 pikë, tri më shumë se zona që dërgon në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. 

“Mirësevjen, Profe! FC Suhareka ka arritur marrëveshje me trajnerin e njohur Mirel Joca, i cili nga sot merr drejtimin e skuadrës. Me një përvojë të madhe në futbollin shqiptar, Joca pritet të sjellë stabilitet dhe sukses te ekipi ynë. Për ty Suharekë!”, shkruan në njoftimin e Suharekës. 

Po të enjten, Vëllaznimi i Gjakovës njoftoi se për trajner të ri do ta ketë Xhengis Rexhepin. 

“Me kënaqësi ju njoftojmë që KF Vëllaznimi ka arritur marrëveshje me trajnerin e mirënjohur Xhenigs Rexhepi. Rexhepi nga sot e ka filluar detyrën e shefit të shtabit teknik në klubin ‘kuqezi’. Xhengis Rexhepi, një emër i njohur në futbollin shqiptar, me një përvojë të jashtëzakonshme dhe një vizion të qartë për të vazhduar me KF Vëllaznimin. Klubet e mëparshme: Sivasspor, KF Llapi, KF Dukagjini, KF Liria, KF Feronikeli dhe KF Trepça ’89”, ka shkruar Vëllaznimi.