Gara për titull të kampionit në Spanjë është shumë interesante. 

Barcelona, Real Madridi dhe Atletico Madridi janë skuadrat që po garojnë ashpër. Barça pas 25 ndeshjeve të luajtura është lidere me 54 pikë.

54 pikë i ka edhe Real Madridi në pozitën e dytë. Atletico ka një pikë më pak dhe e zë vendin e tretë.

Barça të dielën nga ora 16:15 luan me Real Sociedadin. Ndeshje i takon javës së 26-të.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Hansi Flick është e pamposhtur në 14 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Që nga ardhja e Flickut si trajner, Barcelona është duke u shfaqur më e rrezikshme ndaj kundërshtarëve.

Sociedadi është në pozitën e nëntë me 34 pikë.

Të shtunën nga ora 18:30, Reali Madridi do të luajë në udhëtim te Real Betisi.

Së fundit te Betisi është duke shkëlqyer ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Antony.

Betisi është në pozitën e shtatë me 35 pikë.

Të shtunën nga ora 21:00 luan edhe Atletico, ndaj Athletic Bilbaos.

Bilbao renditet në pozitën e katërt me 48 pikë. Kjo edhe konsiderohet ndeshja kryesore e xhiros.

Ndërkohë skuadra e Vedat Muriqit, Mallorca, të dielën nga ora 18:30 do të ballafaqohet me Deportivo Alavesin.

Mallorca ka 35 pikë në vendin e tetë kurse Alavesi është në pozitën e parafundit me 22 pikë.