Xhudistja Laura Fazliu është kthyer me medalje në garat e xhudos, ndërsa arenën e lëshoi me lot në sy. Laura garoi të shtunën në Grand Prix Upper Austria, në Linz. Fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë.

Laura nuk kishte garuar që nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Në fund të korrikut të vitit të kaluar kishte fituar medalje të bronztë olimpike. Stërvitjeve u ishte kthyer shpejt, por jo edhe garave.

Në Austri ishte bartëse e parë e kategorisë, por megjithatë u ndal në gjysmëfinale. U mposht nga japonezja e re So Morichika. Ajo luftë u vendos me dënime. Laura e pësoi dënimin e tretë në kohën shtesë.

Ndryshe ishte lufta për medalje të bronztë me holandezen Joni Geilen. Holandezja shpejt realizoi aksion për “Yuko”. Por Laura realizoi superhedhje të menjëhershme për “Ippon”. Lufta zgjati vetëm 40 sekonda. Laura lëndua gjatë luftës, ndërsa tatamin e lëshoi me lot në sy. Është dukur si lëndim në gju. Edhe në ceremoninw e ndarjes sw medaljeve u paraqit duke çaluar.

Laura në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti italianen Carlotta Avanzato. Ndaj saj pësoi lëndim në fytyrë dhe iu vendos një fashë. Shpejt e kaloi xhudisten e Sllovenisë, Leila Mazouzi, në çerekfinale.

Kthimi i saj ishte i suksesshëm, por shpresohet që lëndimi mos të jetë serioz.

Të premten medalje të argjendtë në Austri fitoi Distria Krasniqi. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë u mposht nga japonezja Iroha Oi.

Në Grand Prix të Austrisë po garojnë 416 xhudistë nga 52 vende. Në kategorinë deri 63 kilogramë ishin 31 xhudiste, më shumë se në çdo kategori tjetër.

Për Laurën është medalja e dytë në garat e nivelit Grand Prix. E bronztë ishte edhe në Zagreb në vitin 2021.