Atleti kosovar, Muhamet Ramadani, ka garuar të dielën paradite në Kampionatin Evropian në palestër, në Apeldoorn të Holandës.

Ramadani garoi në hedhje të gjyles, ndërsa në kualifikime ishte i 17-ti. Në tentimin e parë nuk kishte hedhje të suksesshme, në tentimin e dytë kishte hedhje prej 17.94 metra, ndërsa në tentimin e tretë kishte hedhjen më të mirë prej 18.26 metra.

Në finale kaluan tetë më të mirët. I fundit që u kualifikua në finale kishte hedhjen më të mirë prej 20.11 metra.

Prapa Ramadanit mbeti Anastasios Latifllari, që e prezanton Greqinë. Ai nuk kishte asnjë hedhje të suksesshme.

Në kualifikime, atletët i kishin nga tri hedhje.

Ramadani, që ishte më i riu në garë, rekordin personal e ka 19 metra e 54 centimetra.

“Nuk performuan ashtu si kemi pritur, por si garë e parë na bën të jemi më shumë të fokusuar në garat e ardhshme”, ka shkruar trajneri i atletit më të mirë në vend, Shaban Ramadani.

Të shtunën në Evropianin në palestër është dashur të garojë edhe Gresa Bakraçi. Por ajo nuk startoi fare në garën e vrapimit në 3000 metra.