Dy garues të Norvegjisë në kërcime me ski janë diskualifikuar nga një ngjarje e Kampionatit Botëror të Skijimit Nordik, pasi u zbulua se ishte bërë manipulim në kostumet e tyre.
Marius Lindvik dhe Johann Andre Forfang garuan në garën e kërcimit me ski nga kërcimorja më e lartë, të shtunën në Trondheim të Norvegjisë. Por më vonë u diskualifikuan pasi veshjet e tyre kishin fije të shtuara.
Menaxheri i përgjithshëm i Federatës Norvegjeze të Skijimit, Jan-Erik Aalbu, pranoi se ndërhyrja përkatësisht manipulimi i kostumeve përbën mashtrim.
“Nga sistemi i mbështetjes kanë shpjeguar se të premten ata zgjodhën të vendosin një fije të përforcuar në kostumin e Forfangut dhe Lindvikut”, ka thënë Aalbu.
“Kjo është bërë duke e ditur se nuk është brenda rregulloreve, por duke besuar se nuk do të zbulohej nga kontrolluesi i pajisjeve të FIS. Ashtu siç e konsideroj unë këtë, ne kemi mashtruar. Jemi munduar të mashtrojmë sistemin. Kjo është e papranueshme”, ka shtuar udhëheqësi i federatës norvegjeze.
Aalbu tha se sportistët kishin përdorur kostumet e manipuluara vetëm për garën nga kërcimorja më e lartë dhe jo në ndonjë garë tjetër të Kampionatit Botëror.
Federata Ndërkombëtare e Skijimit tha se Lindvik e Forfang janë diskualifikuar “pas një inspektimi të kostumeve të tyre të kërcimit, të cilat nuk ishin në përputhje me rregullat e pajisjeve”.
Një organ i FIS-it tani po heton për manipulim të paligjshëm të pajisjeve nga ekipi norvegjez.
Lindvik dhe Forfang kanë shkruar se nuk e kanë ditur që në kostumet e tyre kishte ndërhyrje për garën nga kërcimorja më e lartë.
Forfang ka thënë se është më shumë se i shkatërruar për diskualifikimin.
“Kampionati Botëror duhej të ishte javë ëndrrash, por në vend të kësaj përfundoi në tragjedi”, ka shkruar ky garues.
“Kurrë nuk kam qenë në dijeni se kostumi im është i manipuluar. Kam pasur gjithmonë besim të madh te stafi, i cili ka punuar pa u lodhur për të bërë pajisje sa më të mira. Por këtë herë një vijë e qartë u kalua”, ka shtuar Forfang.
Kostumet që përdoren në garat e kërcimeve me ski duhet t’iu përmbahen rregullave të caktuara.
Lindvik po ashtu ka mohuar se e ka ditur se i janë bërë ndërhyrje në kostum. Ndërhyrja është bërë me synim për ta përmirësuar rezultatin e sportistëve norvegjezë.
Lindvik fitoi medalje të argjendtë në garën e kërcimit nga kërcimorja e lartë, që iu mor pas diskualifikimit.
Ka fituar edhe dy medalje të arta në disiplina të tjera, rezultate që kanë mbetur.
Stafi ndihmës i ekipit të Norvegjisë është incizuar se si në mbrëmjen mes të premtes e të shtunës në dhomën e hotelit bënë ndërhyrje të palejuar në veshjen e skitarëve. Nuk është bërë e ditur se kush i ka incizuar, por incizimet erdhën te FIS-i.
Federatat e Austrisë, Polonisë dhe Sllovenisë kanë bërë protestë zyrtare për kostumet e norvegjezëve.