Trepça e ka fituar derbin e xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Të dielën mbrëma në palestrën “Minatori”, Trepça e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultat 93:88. 

Me këtë fitore “xehetarët” u kthyen në pozitën e parë në tabelë me 37 pikë, sa i ka edhe Bashkimi në vendin e dytë. Prishtina renditet e treta me 36 pikë. Trepça e humbi vendin e parë të enjten, kur u mposht nga Bora.

Mitrovicasit nisën furishëm ndeshjen dhe çerekun e parë e fituan 32:17. Çereku i dytë përfundoi 17:12 për Bashkimin, ndërsa në pushim Trepça kishte dhjetë pikë epërsi, 44:34. Në pjesën e parë epërsia e vendasve shkoi deri në 18 pikë.

Prizrenasit u kthyen plotësisht në ndeshje në çerekun e tretë. Madje në mesin e këtij çereku kaluan në epërsi 51:50. Çereku i tretë përfundoi me rezultatin 64:60.

Në periudhën e fundit kampionia në fuqi u shkëput në 11 pikë, 71:60. Bashkimi barazoi në 71:71 më pas. Pas disa minutave të barabartë, skuadra e Adis Beqiragiq u shkëput në 86:78. Mysafirët u munduan të kthehen sërish, por pa sukses.

Fundori Michael Green udhëhoqi Trepçën me 25 pikë, katër asistime e tri kërcime. Drilon Hajrizi i kishte 18 pikë, katër kërcime e katër asistime, ndërsa Michael Myres i realizoi 17 pikë e tetë kërcime.

Te Bashkimi u dallua Lejson Zeqiri me 22 pikë, katër kërcime e dy asistime. Dirk Williams i kishte 18 pikë e katër kërcime, ndërsa Mack Smith i realizoi 11 pikë e pesë kërcime. Tetë pikë e 11 kërcime i kishte Jay Mckinnis, ndërsa 14 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime i kishte Wendell Green.

Në xhiron e ardhshme Bashkimi luan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit, ndërsa Trepça është mysafire e Golden Eagle Yllit në Suharekë.