Behije Mustafa dhe Lijana Iseni mbanin në gjoks medaljet e argjendta teksa flisnin për suksesin në Poloni. Qëndrim Shaqiri qëndronte krenar pranë tyre.

Dy garueset e klubit të karatesë Sharri nga Ferizaj u kthyen me medalje të argjendta nga Kampionati Evropian për kadetë, juniorë dhe grupmoshë U21 që u mbajt në fillim të muajit shkurt në Bielsko-Biala.

Iseni fitoi të argjendtën në kategorinë deri 61 kilogramë, kurse Mustafa në kategorinë deri 68 kilogramë. E para garoi te kadetet, e dyta te grupmosha U21.

Pasi vendosën medaljet në raftin e vogël në sallën që e shfrytëzojnë për ushtrime, karateistet nisën punën me përkushtim.

“Ka qenë emocion. Njëherë ishte e pabesueshme, por kuptova që më takon mua kjo medalje. Medalja në një ngjarje të madhe është shumë me rëndësi dhe çdo ditë po ia di vlerën edhe më shumë”, ka thënë Behije Mustafa për KOHËN.

Medalja evropiane shpresohet të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë e të suksesshme në karrierën e Isenit.

“Ky është një sukses i madh, por kam synime edhe më të mëdha. Shpresoj se me punë do t’i arrijmë të gjitha”, është shprehur Iseni.

Suksesi në Evropian, për trajnerin Qëndrim Shaqiri është dëshmi e punës së madhe që po bëhet në klubin e karatesë “Sharri”.

“Për ne si klub është finalizim me sukses i projektit 5-vjeçar. Gjatë kësaj periudhe e kemi kërkuar me ngulm medaljen, ndërsa puna, sakrifica dhe mundi u shpërblyen këtë vit. Është hera e parë për ne si klub, por edhe për Kosovën, që siguron me dy garues finalen në një Evropian. Në finale të dyja garueset humbën dhe dolën nënkampione të Evropës”, ka theksuar Shaqiri.

Karateistja 19-vjeçare, Behije Mustafa, e kishte pritur suksesin në Poloni.

“Jam shumë e kënaqur. E kam pritur këtë medalje, pasi kemi punuar shumë. Kjo medalje na ka motivuar edhe më shumë për të arritur sukseset e tjera në garat ndërkombëtare”.

Për Behijen nuk ishte medalja e parë evropiane. Ajo ka fituar medalje edhe në vitin 2021 –  të bronztë. Në disa gara ka dështuar, por thotë se e kanë bërë më të fortë.

“Ka pasur gara kur kemi humbur dhe jemi dëshpëruar. Por jam kthyer, kam punuar shumë për garat e radhës. E kam ditur se gjithë dëshpërimi në fund do të kthehet në fitore”, thotë Mustafa.

Ajo thotë se suksesi i fundit do të shërbejë si motivim për punë edhe më të madhe e për suksese edhe më të mëdha.

“Ne jemi duke punuar për të arritur deri te medaljet tjera. Po punojmë maksimalisht për të fituar medalje botërore dhe evropiane si seniore. Kemi gara mjaftueshëm dhe po shpresoj që të fitojmë medalje”.

Ajo ka besim në punën që bëjnë kryetrajneri Shemsi Shaqiri dhe trajneri Qëndrim Shaqiri.

Edhe karateistja e talentuar, Lijana Iseni, thekson se medalja e argjendtë do t’i shërbejë si motiv për të tjera medalje të mëdha. Nuk do të ndalet derisa të realizojë ëndrrën.

“Synimi im është të bëhem kampione botërore. Edhe medaljet, e arta, e argjendta apo e bronzta në Botëror, janë arritje e madhe. Do të punoj për të realizuar ëndrrën time”, thotë Iseni me vendosmërinë e karateistes.

Ajo e di se suksesi arrihet vetëm me punë.

“Suksesi vjen duke ushtruar. Ky rezultat ka qenë i pritur, pasi e kemi ditur se puna dhe mundi në fund do të shpërblehen”.

Pritjet për sukses i ka pasur edhe trajneri Qëndrim Shaqiri. Por thotë se është dashur shumë punë, mund dhe angazhim për të fituar medaljet.

“E kemi ditur se do të shpërthejmë këtë vit, ka qenë momenti. Gjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë punë të madhe, angazhim maksimal. Kemi fituar medalje të ndryshme, ndërsa kulmi u arrit me medaljet e argjendta evropiane”, është shprehur Shaqiri.

Te Sharri synim tjetër i madh është medalja botërore. Por edhe medaljet në nivelin e të rriturve.

“Talenti nuk mjafton. Talenti pa punë nuk mjafton. Talenti është vetëm pamje, nëse nuk punohet nuk mund të arrish asgjë. Pa përgatitje nuk mund të avancosh, apo të fitosh gara. Për të arritur majat botërore duhet shumë punë”, thotë trajneri ferizajas.

Klubi i themeluar në vitin 1997 ka dominuar garat vendore së fundi dhe nivelin që e ka arritur e dëshmoi në Evropianin e të rinjve në Poloni.