Hendbollistet e Kosovës janë mbajtur pak më mirë, por sërish as për së afërmi sa për të shmangur humbjen nga Suedia.
Të dielën pasdite në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova pësoi me rezultatin 43:24. Pas pjesës së parë rezultati ishte 24:9 për suedezet.
Ndeshja i takoi fazës së dytë dhe të fundit kualifikuese për Botërorin e këtij viti. Suedia, ashtu si pritej, u kualifikua në Botëror. Ndërkohë rrugëtimi i Kosovës përfundoi në fazën e dytë kualifikuese.
Suedia nisi furishëm ndeshjen, ndërsa dallimi në cilësi ishte i qartë që nga minuta e parë.
Te Kosova më efikasja ishte Merlinda Qorraj me 11 gola. Tri i realizoi Mirjeta Bytyqi, ndërsa nga dy i kishin Luljeta Esati, Albina Rugovaj, Arlinda Dinarica e Suzana Ujkiq.
Ndeshjen e parë, të luajtur të enjten në Karlskrona të Suedisë, Kosova e humbi me rezultat 51:16.
Suedia ishte përfaqësuesja më cilësore që u paraqit në fazën e dytë kualifikuese.