Një moment i rrallë dhe i paharrueshëm ndodhi pas ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës në Hendboll për Femra 2025, mes Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës, e zhvilluar në Belgjikë.

Pasi gjyqtari kishte vërshëllyer për fundin e ndeshjes, një nga lojtaret më të spikatura të Bosnjës, Damljana Bosnjak, u gjend papritur në qendër të vëmendjes – por jo për ndonjë gol apo ndërhyrje në fushë.

Partneri i saj i afrua në parket, u gjunjëzua dhe i bëri një propozim për martesë, duke shkaktuar emocion, lot gëzimi dhe duartrokitje nga bashkëlojtarët dhe të pranishmit në palestër.

Pamjet nga momenti prekës janë bërë virale në rrjetet sociale, ndërsa Damljana tha “po” mes lotësh dhe buzëqeshjeje, duke shndërruar një ndeshje hendbolli në një kujtim të përjetshëm.

Kjo ngjarje tregon edhe një herë se sporti nuk është vetëm garë – por edhe vendi ku lindin emocionet më të mëdha njerëzore.

Një dashuri që u kurorëzua me një “po” në fushën ku ajo jep më të mirën!