Kombëtarja e Kosovës në futboll për të verbër do të marrë pjesë për herë të parë në Kampionatin Evropian, Divizioni i Dytë, që do të mbahet në Krakov, Poloni, nga 29 qershori deri më 7 korrik 2025.

“Dardanët” do të nisin garën me një përballje kundër Polonisë, për të vazhduar më pas ndaj Kazakistanit. Në dy përballjet e fundit të grupit, Kosova do të përballet me Rumaninë dhe Spanjën, e cila cilësohet si favorite dhe renditet në vendin e dhjetë në ranglistën botërore të futbollit për të verbër.

Selektori Ahmet Mahmutaj ka përzgjedhur këta futbollistë për këtë pjesëmarrje historike:

  • Vilson Hajdari (portier)

  • Florian Zeka

  • Herolind Gashi

  • Bekim Krasniqi

  • Daut Hoxha

  • Shqipron Kuliqi

  • Fatlum Elshani

  • Mark Pjetraj (kapiten)

Kjo paraqitje shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e sportit të të verbërve në Kosovë dhe përfaqëson përkushtimin e Federatës së Sporteve për të Verbër e Kosovës dhe Federatës së Futbollit të Kosovës për gjithëpërfshirje dhe barazi në sport.