Malisheva është mposhtur të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për të zbehur gjasat për avancim në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Në një ndeshje të hapur e me shumë raste, Malisheva humbi 1:0 nga Vikingur Reykjavik, skuadra nga Islanda. Sfida u vendos në minutat shtesë të pjesës së parë.

Në minutën e dytë shtesë, sulmuesi i krahut, Nikolaj Hansen, u shkëput në zonë dhe goditi saktë me kokë për epërsinë e islandezëve. Pikë e fortë e Vikingurit është loja në ajër dhe kjo doli të jetë vendimtare edhe të enjten mbrëma.

Malisheva për herë të dytë po paraqitet në Evropë. Vjet kishte fituar 1:0 në “Fadil Vokrri” ndaj Buduqnostit të Podgoricës, por ishte mposhtur 3:0 në Mal të Zi për t’u ndalur në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Tani ka rezultat negativ nga ndeshja e parë dhe kjo e bën shumë të vështirë udhëtimin e gjatë për në Reykjavik. Ndeshja e kthimit është pas një jave.