Liverpool do të jetë i etur të lërë pas zhgënjimin e minutës së fundit ndaj Crystal Palace, pasi vëmendja kthehet sërish te Liga e Kampionëve, ku përballen me Galatasarayn.
“The Reds” u mposhtën nga goli i vonë i Eddie Nketiah në Selhurst Park fundjavën e kaluar, duke pësuar disfatën e parë në kampionat këtë sezon.
Skuadra e Arne Slot megjithatë vazhdon të qëndrojë dy pikë në krye të tabelës, pasi ka fituar pesë ndeshjet e tjera në elitën angleze.
Në Evropë, megjithatë, ata u testuan deri në fund nga Atletico Madrid në xhiron e parë, duke pasur nevojë për një gol me kokë në minutat shtesë nga Virgil van Dijk për të siguruar tre pikët ndaj skuadrës spanjolle.
Dy golat e shpejtë brenda gjashtë minutash nga Andy Robertson dhe Mohamed Salah bënë që shumëkush të mendonte se kampionët e Premier League do të dominonin plotësisht në Anfield, por Marcos Llorente barazoi me një dopietë.
Kjo zgjati deri sa van Dijk u ngjit më lart se të gjithë dhe shënoi përballë Jan Oblak, duke vulosur një fitore dramatike.
Nga ana tjetër, Galatasaray u turpërua 5-1 në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Eintracht Frankfurt.
Për këtë arsye, skuadra turke do të mundohet të shfrytëzojë mbështetjen e fuqishme të tifozëve në shtëpi për të krijuar një atmosferë frikësuese për kundërshtarin nga Premier League.
Asnjëra palë nuk ka shqetësime serioze me lëndime para kësaj përballjeje.
Liverpool do të mungojë Giovanni Leoni, i cili u përjashtua për një vit javën e kaluar pasi këputi ligamentin e përparmë të gjurit.
Gjithashtu, Federico Chiesa nuk është përfshirë në skuadrën udhëtuese, pasi Arne Slot konfirmoi se italiani po përballet me një shqetësim të vogël të pësuar në humbjen ndaj Palace.
Për vendasit, sulmuesi kryesor Victor Osimhen u rikthye në fushë në fitoren 1-0 ndaj Alanyaspor të premten, pasi më parë kishte pësuar një dëmtim në kyç gjatë angazhimeve me Nigerinë.
Trajneri i Galatasaray, Okan Buruk, tha se kishte dashur që Osimhen të “luante për 10 minuta” dhe të “provonte dhimbjen”, duke theksuar se “të luash me dhimbje është e rëndësishme”.
Skuadra turke është aq e etur për ta rikthyer sa më shpejt në formë yllin e saj, saqë Buruk ka ndryshuar formacionin dhe ka tentuar ta rikthejë Osimhen para kohe.
“Mund të kemi ndryshuar formacionin dhe të kemi pasur vështirësi për të mbuluar kundërshtarin,” tha ai. “Megjithatë, po i marrim këto rreziqe për t’u siguruar që ai të luajë.”



























