Jordi Alba po jeton ditët e fundit si futbollist profesionist. Mbrojtësi i Inter Miami analizoi karrierën e tij, foli për Leo Messin dhe gjithashtu për shpërthimin e Lamine Yamal.
Jordi Alba po i afrohet fundit të karrierës. Ai tashmë ka njoftuar se do të tërhiqet nga futbolli profesionist sapo të përfundojë sezoni me Inter Miami, njësoj si Sergio Busquets disa javë më parë. Si një zë autoritar te FC Barcelona, ish-reprezentuesi i Spanjës foli për disa çështje të rëndësishme, përfshirë Leo Messin.
Argjentinasi ka qenë në qendër të vëmendjes që prej vizitës së tij surprizë në Camp Nou një natë. “Ai dëshiron një homazh dhe shpresoj ta marrë. E meriton, do të jetë një festë shumë e bukur. Të gjithë po presin atë moment. Ai është më i miri në histori dhe Camp Nou meriton të dridhet sërish me të,” tha Alba në ‘El Larguero’ në ‘Cadena SER’.
“Messi nuk më tha asgjë për vizitën. Babai im më paralajmëroi. Do të shkoj ta shoh me familjen,” shpjegoi ai për surprizën e dhënë nga kampioni i botës me ‘Albiceleste’. Pavarësisht gjithçkaje që ka bërë për FC Barcelonën, Jordi Alba është i sigurt se nuk mendon që “Leo dëshiron që Camp Nou të quhet me emrin e tij”.
Mbrojtësi foli edhe për largimin e tij nga Barcelona: “Kisha edhe një vit kontratë dhe një tjetër opsional, por nuk kisha problem të tërhiqesha dhe mendova se ishte momenti i duhur. Mund të kisha qëndruar edhe një vit, ndoshta dy, por nuk pendohem”.
Së fundi, ai analizoi yllin e ri të Barcelonës, Lamine Yamal: “Ai është një lojtar i madh, si Frenkie de Jong, Pedri apo Gavi, por ta krahasosh me Leon nuk ka asnjë kuptim. Nuk ekziston asnjë krahasim i mundshëm”.



























