Ballkani ka shënuar fitore shumë të vështirë të dielën dhe e ka ruajtur pozitën e parë në tabelë.

Ballkani e mposhti në udhëtim Gjilanin me rezultatin 2:1, në kuadër të javës së 19-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Për skuadrën nga Suhareka ishte fitorja e dhjetë këtë edicion, krahas gjashtë barazimeve dhe tri disfatave.

Almir Kryeziu shënoi gol të bukur në minutën e tretë për epërsinë e Ballkanit.

Ballkani shifrat i dyfishoi në minutën e 63-t me golin që e realizoi Albert Diene.

Tetë minuta më pas, Gjilani e ngushtoi rezultatin në 2:1. Autor i golit ishte Oltion Bilali. Por goli i Bilalit në fund nuk ia rrezikoi fitoren mysafirëve.

Ballkani ka 36 pikë. Prishtina ka tri pikë më pak në pozitën e dytë. Drita renditet në pozitën e tretë me 32 pikë.

Gjilani ka 26 pikë në vendin e gjashtë.