Drita e ka marrë vendin e parë në tabelë pas fitores ndaj Llapit.
Drita të dielën e mposhti Llapin me rezultatin 2:0, në kuadër të xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja ndërmjet Llapit dhe Dritës u zhvillua në stadiumin e Ramiz Sadikut në Prishtinë pasi që në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë janë duke u zhvilluar punime.
Blerton Sheji e shënoi golin e parë në minutën e 64-t. Mbrojtësi i krahut shënoi nga afërsia.
Golin për 2:0 e realizoi Veton Tusha në minutën e 89-të.
Për skuadrën gjilanase ishte fitorja e katërt rresht në kampionat.
Drita tashmë ka 38 pikë. Pasojnë Ballkani dhe Prishtina me nga 36 pikë.
Drita u ngjit në krye të tabelës edhe falë disfatave që i pësuan Ballkani dhe Prishtina.
Llapi mbetet në pozitën e shtatë me 22 pikë. Skuadra llapjane nuk di për fitore në shtatë ndeshjet e fundit në kampionat. Është duke luftuar për mbetje në elitë.



























