Lindon Emërllahu e ka shënuar golin e parë në elitën e futbollit ukrainas.
Emërllahu që është pjesë e skuadrës Polissya Zhytomyr shënoi një gol në duelin ndaj LNZ Cherkasyt.
Polissya Zhytomyr e mposhti në udhëtim LNZ Cherkasyn me rezultatin 3:1. Ndeshja e zhvilluar të shtunën i takoi xhiros së 18-të.
Mesfushori me tipare defensive shënoi nga afërsia për 2:0 në minutën e 33-të. Ai shënoi me asistim të Igor Krasnopirit.
Emërllahu luajti deri në minutën e 85-të. Futbollisti tjetër kosovar që luan për Polissya Zhytomyrin, Ilir Krasniqi, e kompletoi ndeshjen. Ndërsa Andi Hadroj ishte në bankën e rezervistëve. Në stol mbeti edhe Ajdi Dajko te LNZ Cherkasy.
23-vjeçari Emërllahu me Polissya Zhytomyrin ka edhe një asistim.
Reprezentuesi i Kosovës, Emërllahu, te Polissya u transferua më 1 janar nga Cluji rumun për 1.5 milionë euro dhe nënshkroi kontratë dyvjeçare.
Polissya është duke luftuar për titull dhe pas 18 xhirove të luajtura ka 36 pikë në vendin e tretë.





























