Vedat Muriqi ka qenë i pafat në minutën e 92-të të ndeshjes, të cilën Mallorca e humbi në udhëtim tek Elche.
Muriqi e kishte mundësinë e artë që t’i barazonte shifrat në 2:2 në minutën e dytë të kohës shtesë.
Por, sulmuesi më i mirë i Mallorcas dhe golashënuesi i dytë më i mirë në La Liga, mbeti me 18 gola të realizuar.
Ai gjuajti lartë mbi portë. Mallorca nuk e pati më forcën për të shënuar ndonjë gol dhe u mposht 2:1 të shtunën pasdite, në ndeshjen e xhiros së 29-të.
Muriqi e kompletoi ndeshjen, ndërsa skuadra e tij kaloi e para në epërsi në minutën e 58-të kur shënoi Pablo Torre.
Megjithatë, golat nga Rafa Mir në minutën e 62-të dhe Tete Morente në minutën e 71-të, e vendosën fitoren e vendësve, në ndeshjen për mbijetesë.
Elche ka 29 pikë, ndërsa Mallorca bie në pozitën e 18-të me një pikë më pak. Vendi i 18-të nuk e siguron qëndrimin në La Liga.





























