Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur fitore ndaj Kazakistanit në “Air Albania” në kuadër të Ligës së Kombeve me rezultat 3:1.

Shqipëria këtë ndeshje e kishte me pa tjetër ta fitonte dhe këtë e bënë pa ndonjë problem të madh.

Ndeshjen e nisën për mrekulli duke sulmuar portën e mysafirëve nëpërmjet Manajt dhe Cikalleshit.

Në minutën e 16-të, sulmuesi shqiptar Cikalleshi shënoi një gol të bukur me kokë pas një harkimi fantastik të Memushajt, duke i dhuruar epërsinë e parë kombëtares.

Dominimi i futbollistëve kuqezi vazhdoi, duke shënuar golin e dytë vetëm pas shtatëve minutave më vonë.

Golin e shënoi mbrojtësi Ardian Ismajli për rezultatin 2:0, i cili përfitoi mjaft mirë nga tollovia e shkaktuar në mbrojtjen kazake.

Festa e kombëtares zgjati vetëm disa sekonda, pasi në aksionin e parë pas golit të Shqipërisë, mysafirët e shënuan golin e parë dhe atë në mënyrë fantastike.

Aibol Abiken shënoi nga gjysma e fushës duke e zënë jo mirë të vendosur kapitenin Etrit Berisha.

Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.

Kombëtarja edhe në pjesën e dytë vazhdoi me ritmin e njëjtë duke kërkuar golin e radhës dhe të fitores.

Pas disa rasteve të mira për gol, në minutën e 63-të mesfushori Amir Abrashi fitoi një penallti.

Penalltinë në gol e konvertoi sulmuesi Rey Manaj për rezultatin 3:1

Shqipëria me këtë fitore shton gjasat për të fituar grupin, pas në ndeshjen e fundit takohet me liderin e grupit Bjellorusinë.

Pas kësaj fitore renditet në pozitën e dytë me tetë pikë në grupin C4 në Ligën C.