Interi ka fituar me rezultat 2-1 ndeshjen e tyre në shtëpi ndaj Spezian, e vlefshme për javën e 13-të në Serie A.
Nerazzurrët kanë vazhduar serinë e fitoreve radhazi, duke e çuar numrin e fitoreve në gjashtë sosh.
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli ishte nga minuta e parë në këtë ndeshje, duke zhvilluar një ndeshje mjaftë solide kundër Romelu Lukakus dhe Lautaro Martinezit.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë thuajse të barabartë nga të dyja skuadrat, por me një nuancë Interin më të mirë dhe me raste më të shumta.
Rasti më i mirë këtë pjesë ishte ai i Lautaro Martinez (13’), por goditja e tij me kokë shkoi pranë shtyllës dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat 0-0.
Në pjesën e dytë, Interi rriti nivelin e lojës, duke krijuar më shumë dhe duke shënuar edhe dy gola për të siguruar fitoren.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 51-të dhe ishte Achraf Hakimi, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Lautaros, ndërsa për 2-0 u përkujdes sulmuesi belg, Romelu Lukaku (71’), i cili shënoi nga pika e bardhë.
Kur pritej që ndeshja të mbyllej, në minutat shtesë ishte Roberto Piccoli, i cili shënoi dhe vendosi rezultatin përfundimtar 2-1.