Me mendjen më shumë tek Europa League sesa te kampionati, Roma është fokusuar e gjitha te sfida e së enjtes kundër Manchester United.
Sezoni i verdhekuqve kalon nëpërmjet gjysmëfinales së Kupës, që për momentin vlen më shumë se çdo gjë tjetër te verdhekuqtë, në mendjen e lojtarëve është vetëm kjo.
Nëse arrijnë të ngrenë një trofe, kjo do të thotë shumë prestigj për klubin kryeqytetas. Klasifikimi në Serinë A nuk është ai i duhuri, me vendin e 7-të që nuk kënaq, aq më tepër që disfata me Cagliarin ka sjellë pështjellim dhe është e vështirë që të gjendet shpirti i duhur.
Sezoni po shkon drejt mbylljes dhe pronari Friedkin po punon për sezonin e ardhshëm. Zgjedhja e trajnerit do të jetë vendimtare.
Paulo Fonseca, që prej kohësh ndihet në provë, ka gati një biletë largimi, pasi e dëshiron në Rusi dhe Zeniti i Shën Pjetërburgut. Në vend të tij pronarët amerikanë, siç shkruajnë mediet italiane, kanë zgjedhur Maurizo Sarrin.
Për ish trajnerin e Juventus do të bëhej fjalë për një klub të rëndësishëm, edhe pse në Angli, kompanitë e basteve e japin si më të kuotuarin për të marrë drejtimin e Tottenhamit, duke lënë pas emra si Julian Nagelsman, Nuno Espirito Santo apo Rafa Benitez e Brendan Rodgers.
Agjenti i Sarrit, shqiptari Fali Ramadani është në një tour në Itali dhe, pasi ka folur me Napolin për klientët e tij Koulibaly dhe Maksimovic, do të ketë një takim edhe me drejtuesit e Romës. Gjithçka duket se do të konkretizohet pas ndeshjeve të Europa League, pasi me apo pa Kupën, te Roma kanë vendosur të ndryshojnë.