Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Valon Berisha, ka thënë se në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut, fitorja i takon Kosovës.
Berisha, i cili është futbollist i Lazios, ka thënë se Kosova është gati për fitore.
“Mendoj se kemi mundësi të fitojmë. Ata kanë më shumë eksperiencë, por ne jemi gati gjithmonë për fitore. Do të jetë një ndeshje e fortë normalisht, por ne jemi gati gjithmonë për Kosovën. Jemi në një nivel me kundërshtarët e mund të fitojmë në ndeshjet në shtëpi. Mundësitë janë të dalim në vend të parë, pasi nuk ka shumë diferenca”, ka thënë Berisha për Supersport.
Ai ka folur edhe për kohën kur duhej të zgjidhte në mes Norvegjisë dhe Kosovës.
“Çdo vendim është i vështirë. Në Norvegji jam rritur si lojtar, por për mua nuk ka qenë i vështirë për të zgjedhur Kosovën. Norvegjia na donte të dy lojtarët, por morën një vendim të mirë, pasi ata mbajtën vëllain tim, ndërsa unë zgjodha Kosovën. Për mua është më e rëndësishme fitorja se golat”, ka thënë Berisha.
Berisha ka folur edhe për problemet në Lazio, pas dëmtimeve të shpeshta, por duket se do të kthehet sërish në kryeqytetin italian.
Aktualisht Berisha luan si i huazuar në Bundesligën gjermane me Fortuna Dusseldorf ku ka fituar menjëherë vendin e titullarit, por me shumë gjasa në verë ai do të rikthehet te Lazio.
Ai foli edhe për sfidën play-off të Nations League mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.