Përfaqësuesja e Kosovës do të rikthehet në arenën ndërkombëtare në shtator, ku do të zhvillojë ndeshjet kundër Gjeorgjisë, Greqisë dhe Spanjës, të gjitha këto përballje në kuadër të Grupit B, për kualifikime drejt “Katar 2022”.
Më 2 shtator, Kosova do të luajë ndeshjen e tretë si mysafire e Gjeorgjisë, derisa më pas më 5 shtator do të jetë mikpritëse e Greqisë dhe me 8 shtator mikpritëse e Spanjës.
Në muajin tetor, Kosova do të luajë fillimisht si mysafire e Suedisë, më 9 tetor dhe më pas si vendase kundër Gjeorgjisë, më 12 tetor, teksa këto kualifikime i mbyll me ndeshjen kundër Greqisë më 14 nëntor.
Ndërsa, një numër i futbollistëve ‘Dardanë’ priten të mungojnë për këto ndeshje, disa për shkak të lëndimit e ca të tjerë për shkak se janë pa ekip.
- Arbër Zeneli dhe Edon Zegrova të lënduar. Bersant Celina, për arsye shëndetësore.
- Hekuran Kryeziu, Idriz Voca dhe Samir Ujkani pa klube.
- Teksa, Leart Paqarada ka zgjedhur të mos luajë për Përfaqësuesen e Kosovës derisa në krye të saj të jetë përzgjedhësi Challandes.
Kujtojmë se, Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar tri ndeshjet e para të saj në muajin mars, ku ishin vendas në fitoren që u arrit në miqësoren ndaj Lituanisë, dhe pastaj regjistruan dy humbje kundër Suedisë dhe Spanjës, në kuadër të kualifikimeve për në Botërorin “Katar 2022”.




























