Ekipi kombëtar i Kosovës do të grumbullohet sot në Prishtinë, për t’i nisur përgatitjet për tri ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, që do të zhvillohen në fillim të shtatorit.Një pjesë e futbollistëve mbërritën në Kosovë të dielën, ndërsa pjesa tjetër që ishin të zënë me ndeshje të ekipeve të tyre dje, do të mbërrijnë sot.Trajneri Bernard Challandes do ta mbajë stërvitjen e parë sot në orën 19:00 në stadiumin Fadil Vokrri, por paraprakisht ai do të flasë në një konferencë për media në orën 11:30.Kosova është ende në kërkim të fitores së parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e saj.Kjo është hera e dytë që kombëtarja verdhekaltër merr pjesë në kualifikimet e Botërorit dhe ato i nisi keq përsëri, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në Grupin B, kundër Spanjës dhe ndaj Suedisë.

Dardanët do të përballen me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, para se të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë.