Sipas rregullave të reja të qeverisë britanike, spektatorët do të jenë të detyruar të tregojnë provat se janë të vaksinuar me dy doza të vaksinës kundër Covid 19 ose një test negativ, që të mund të ndjekin eventet sportive në një grumbullim ku ka më shumë se 10 mijë njerëz.

Këto masa ishin pjesë e planit B të qeverisë angleze, për të luftuar rritjen e rasteve pozitive me covid në vend të shkaktuara nga varianti Omicron dhe të martën në mbrëmje janë miratuar në parlament me një shumicë votash.

Klubet e Premier League, në stadiumet e të cilave ka zakonisht më shumë se 10 mijë tifozë, duket se janë përgatitur për këtë situatë. Disa prej tyre, ku bëjnë pjesë Chelsea, Tottenham dhe Brighton, e kanë që tani të detyrueshme pasaportën e vaksinimit për tifozët që ndjekin ndeshjet shtëpiake në stadium.

Sipas rregullave të reja, tifozët që nuk provojnë se janë të vaksinuar me dy doza ose nuk tregojnë një test negativ të 48 orëve të fundit, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.