Para çdo ndeshje në ‘Fadil Vokrri’, futbollistët e Kosovës, takojnë së pari Kujtim Muzaqin.
Ai është berber nga Vushtrria. Kujta ua rregullon flokët shumicës së futbollistë të Kombëtares së Kosovës.
“Ka tre vjet që përkujdesem për dukjen e Kombëtares së Kosovës, të cilët i kam shokë dhe shoqëria është e sinqertë me të gjithë. Me Samir Ujkanin, Milot Rashicën, Florent Hasanin, Elbasan Rashanin dhe Idriz Vocën, vijmë nga i njëjti qytet”, ka thënë ai për VAR Kosova.
Për shkak të koronavirusit, ka disa muaj që ai nuk është takuar me asnjërin nga futbollistët.
“Sa herë që luan Kombëtarja e Kosovës, na bënë krenar, personalisht edhe mua. Nuk mund të them që më mungon vetëm mua, ata i mungojnë të gjithë Kosovës dhe së shpejti t’i kthehemi normalitetit dhe ndeshjeve të zjarrta siç dimë t’i bëjmë ne kosovarët. Natyrisht që me klientët krijojmë lidhje personale edhe shoqërore. Sigurisht që më mungojnë të gjithë, sepse punën së pari e bëj për qejfi, pastaj e bëj për biznes”, ka thënë ai.
Shumë shpesh ai ka shkuar edhe në hotelin Emerald, për t’ua rregulluar flokët futbollistëve./VAR Kosova/




























