LeBron James është miliarderi i fundit mes sportistëve, por i vetmi mes lojtarëve aktivë të NBA-së, ka bërë të ditur revista “Forbes” të enjten.

Sipas “Forbesit”, ylli i Los Angeles Lakers ka “maksimizuar biznesin e tij”, duke gjeneruar më shumë se 1.2 miliardë dollarë fitime.

“Paga e tij në NBA nga tri skuadra të ndryshme gjatë 19 viteve të fundit ka arritur në 383 milionë dollarë, dhe James ka arritur mbi 900 milionë dollarë të ardhura nga sipërmarrjet e tjera të biznesit”, bëri të ditur revista prestigjioze.

Përveç marrëveshjeve fitimprurëse me Nike (NKE), AT&T (T), PepsiCo (PEP) dhe Walmart (WMT), “Forbes” tha se kampioni i katërfishtë i NBA-së ka gjithashtu investime në startupin e fitnesit Tonal, kompaninë e ndarjes së udhëtimeve Lyft dhe restorantin Blaze Pizza.

Një tjetër investim fitimprurës për James është studio televizive dhe filmike SpringHill Entertainment, të cilën Forbes e vlerëson në rreth 300 milionë dollarë. Studio ndihmoi në prodhimin e “Space Jam: A New Legacy”, një film në të cilin ai luajti dhe fitoi 163 milionë dollarë në mbarë botën.

James ka ëndërruar prej kohësh të bëhet miliarder.

“Natyrisht që dua ta maksimizoj biznesin tim. Dhe nëse ndodh ta arrij këtë, nëse ndodh të jem një atlet miliarda dollarësh, ho! Oh, Zoti im, do të jem i emocionuar”, ka thënë ai për “GQ” në një intervistë të vitit 2014.

Michael Jordan është miliarderi tjetër nga sporti i basketbollit sipas listës së “Forbesit”. Ai nuk e arriti këtë deri në vitin 2014, më shumë se një dekadë pasi doli në pension.