PSG sërish nën hetim për bilancet financiare. Nënshkrimi i marrëveshjes me Kylian Mbappe nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga organi i kontrollit financiar të UEFA-s për klubet.  Kampionët e Francës do t’i nënshtrohen një kontrolli të detajuar të bilanceve financiare.

PSG pati një humbje prej 224.3 milionë euro në sezonin 2020/21, por duket se shifra të tilla nuk janë problem për drejtuesit e klubit kryeqytetas që arriti të bindë yllin e kombëtares franceze që të qëndronte në Paris.

Kjo nuk është hera e parë që PSG bëhet subjekt hetimi pasi edhe në vitin 2014 pranoi shkeljet që kishte bërë dhe u gjobit me  60 milionë euro, pikërisht për shkak të mosrespektimit të rregullave të fair play financiar. Edhe në vitin 2018 pati një hetim disa muaj, por nuk pari një vendim.

Arsyeja e hetimit është Kylian Mbappe dhe shkas është bërë dhe La Liga, e cila është ankuar për PSG dhe Manchester City që nuk po tregohen të barabartë në garën për transferimet e lojtarëve. Javier Tebas, presidenti i La Liga ka shpjeguar se ishte e pamundur rinovimi i kontratës nga PSG me Kylian Mbappe me humbjet që kanë pësuar sezonet e fundit, por në fund pati një marrëveshje të re.

Mbetet për t’u parë nëse në fund të këtij hetimi do të ketë sanksione për PSG që nëse do të vërtetohej atëherë do të ishte një shkelje e përsëritur dhe parisienët nuk do e kalonin aq lehtë./ Super Sport