Legjenda e futbollit të Kamerunit, Samuel Eto’o, është deklaruar fajtor për evazion fiskal në vlerë 3.2 milionë funte gjatë periudhës sa ishte në Spanjë, raporton BBC.

Ai akuzohet se ka bërë evazion fiskal në lidhje me të drejtat e imazhit të tij derisa ishte pjesë e Barcelonës.

Ai duhet të paguajë paratë që i ka borxh, si dhe një gjobë prej 1.55 milionë funte.

Prokurorët e kanë akuzuar Eto’on se nuk i ka deklaruar të hyrat nga të drejtat e imazhit mes viteve 2006 dhe 2009.

Eto’o që katër herë është shpallur futbollisti më i mirë i Afrikës, është dënuar të hënën nga gjykata e Spanjës me 22 muaj burgim me kusht.

Ai është ylli i radhës i futbollit që është dënuar për evazion fiskal në Spanjë, pas emrave si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Jose Mourinho e Neymar.

Eto’o 41-vjeçar aktualisht është president i Federatës së Futbollit të Kamerunit.