Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi, në një intervistë për RTK, është shfaqur i shqetësuar me lajmin se futbollisti i Dritës, Izair Emini ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Munishi vlerëson se klubet kosovare i kane nisur stërvitjet pa ndonjë plan konkret ndaj pandemisë Covid-19.
Ai nuk e ka kursyer nga kritikat as ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Stërvitjet i kemi filluar pa protokoll. Së pari është dashur që të bëhet testimi i çdo futbollisti dhe pastaj çdo klub ta organizojë një karantinë në mënyrë që të qëndrojmë të izoluar dhe mos të kemi kontakt me shumë njerëz. Ne jemi sjell si amatorë total”, ka deklaruar Munishi.
“Edhe ministri i Shëndetësisë, (Arben Vitia) ka treguar amatorizëm total pasi që ka lejuar që të bëhen stërvitjet pa protokoll. Edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës jemi mësuar me amatorizëm. Ne nuk e dimë pasi që në mesin tonë mund të ketë lojtarë të infektuar”, ka thënë Munishi.