Talenti i Trepçës ’89 Emir Rashica shumë shpejtë mund të bëhet pjesë e gjigantit italian, Interit. 18 vjeçari po qëndron në Itali në provë te “zikaltërit” dhe nëse tregohet i suksesshëm edhe mund të kompletojë transferimin atje.
Rashica ka konfirmuar për KosovaPress se edhe më tej po vazhdon të qëndrojë në Itali dhe po mbahet në monitorim nga vëzhguesit zikaltër.
“Po, është e vërtetë që kam ftesë nga Interi dhe jam nën vëzhgimin e tyre për një kohe. Tani për momentin gjendem në Itali dhe po vazhdojë të jem nën mbikëqyrjen e tyre”, shtoi Rashica.
Futbollisti kosovar më pas tregoi edhe se si erdhi deri te kontakti me Interin duke thënë se kjo ndodhi kur ishte me Kombëtaren e Kosovës në Itali në një turne në të cilin Kosova ka zënë vendin e parë dhe aty ka nisur kontakti me njërin prej vëzhguesve të gjigantit italian.
“Kontakti ka filluar në Itali kur kemi pasur një turne me Kombëtaren e Kosovës dhe kemi zënë vendin e parë dhe prej asaj kohe jam nën vëzhgimin e tyre”, theksoi Rashica.
Për Rashicën, kalimi te Interi do të ishte një ëndërr e bërë realitet.
“Normal Interi është një klub i madh dhe është ëndërr e çdo futbollisti për t’u bërë pjesë e tyre”, tha Rashica në fund.
Nëse Rashica tregohet i suksesshëm në këto prova, marrëveshja me Interin mund të kompletohet në javët e ardhshme.



























