Lionel Messi e ka siguruar Paris Saint-Germainin se ai do të nënshkruajë kontratë të re me klubin francez.
Mediat e huaja kanë shkruar të mërkurën se tashmë është arritur një marrëveshje verbale për vazhdimin e kontratës për të paktën një vjet, por ende nuk është nënshkruar asnjë.
Inter Miami kishte tentuar ta siguronte nënshkrimin e fituesit të Kupës së Botës, 35-vjeçarit Messi, por ai nuk ka qenë ende i gatshëm për një kalim në ligën MLS.
Messi u kthye në Buenos Aires me pjesën tjetër të grupit të Argjentinës për ta festuar titullin e fituar në Katar.
Ndërkohë, bashkëlojtari i tij te PSG-ja, Kylian Mbappe, iu bashkua lojtarëve tjerë të PSG-së në stërvitje, pas disfatës që e pësoi me Francën nga Argjentina në finale të Botërorit.
Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë”, Messi, shënoi shtatë gola dhe dhuroi tri asistime në Katar.
U bë lojtari i parë në histori që merr dy herë çmimin e lojtarit më të mirë të Kupës së Botës.



























