Viti 2023 ishte padyshim viti më i suksesshëm në histori për futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës në nivel të klubeve, shkruan VAR Kosova.
Pesë “Dardanë” u shpallën kampion në Evropë, duke shënuar emrin e tyre në shkronja të arta në historinë e këtyre klubeve. Suksesi bëhet edhe më domethënës me faktin se të gjithë këta lojtarë ishin shumë të rëndësishëm për klubet e tyre, duke luajtur mijëra minuta dhe duke kontribuar me gola dhe asistime vendimtare.
Përveç pesë kampionëve që mbyllën sezonin me medalje, edhe lojtarët e tjerë patën vit shumë të mirë, duke ndihmuar klubet në arritjen e objektivave sezonale.
Amir Rrahmani – kampion i Italisë
Kapiteni dhe lojtari më i rëndësishëm i Kosovës, Amir Rrahmani, fitoi titullin më të rëndësishëm nga të gjithë, duke u shpallur kampion i Italisë me Napolin, titull ky që u kthye në jug të Italisë për herë të parë pas 33 vitesh.
Rrahmani ishte shtyllë e Napolit këtë sezon, ku së bashku me Kim Min-jae, formuam një nga tandemët më të mirë të mbrojtjes në Evropë. Rrahmani u paraqit në 29 ndeshje, ku arriti të realizoj edhe 2 gola dhe 1 asistim. Momenti më i mirë erdhi në derbin kundër Juventusit që vinte nga një seri prej 8 fitoresh pa pësuar asnjë gol dhe ishte vetëm 7 pikë larg Napolit. Me rezultatin 2-1, Rrahmani shënoi një gol fantastik pas pushimit të pjesës së parë, duke shuar shpresat për rikthim të “Zonjës së Vjetër” në këtë ndeshje dhe në garën për titull.
Ky është titulli i parë i ndonjë lojtarit që përfaqëson Kosovën në pesë ligat më të mëdha evropiane. Pas këtij suksesi historik, Napoli vazhdoi kontratën e Rrahmanit deri në vitin 2027.
Milot Rashica – kampion i Turqisë
Pas një sezoni zhgënjyes në Premier Ligë me Norwich Cityn, Milot Rashica, u huazua në Turqi te Galatasary në fillim të sezonit 2022/2023. Huazimi te klubi i ngushticës së Bosforit u kurorëzua me trofe, me Galatasaryn që fitoi titullin e Turqisë për herë të 23-të – rekord në Superligën turke.
Ky është titulli i dytë në karrierën e Rashicës – të parin e kishte fituar me KF Vushtrrinë në vitin vitin 2014. Si një nga lojtarët më të mirë në sulmin e “Luanëve”, Rashica u paraqit në 26 ndeshje, duke shënuar 4 gola dhe duke asistuar 6 herë. Momenti më i mirë erdhi në fitoren kundër Ankaragucu, ku Rashica asistoi në golin e parë të cilin e shënoi Mauro Icardi. Kjo fitore ia konfirmoi edhe matematikisht titullin e parë pas katër viteve skuadrës së drejtuar nga Okan Buruk.
E ardhmja e Rashicës nuk është konfirmuar ende, me 26 vjeçari që doli në festën e titullit i mbuluar me flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë, ku u shpreh se është duke shijuar suksesin e këtij sezoni.
Arbnor Muja – kampion i Belgjikës
Ndonëse nuk ka asnjë paraqitje për Kosovën në nivel senior, Arbnor Muja, ishte lojtari me kapërcimin më të madh këtë vit. 24 vjeçari që e filloi sezonin me Dritën, u transferua në Ligën e Parë të Belgjikës për 400 mijë euro, transfer rekord për Superligën e Kosovës. Vetëm 8 ditë pas lajmit të transferimit, Muja u konfirmua si lojtar i skuadrës së parë duke marrë numrin 11. Një fillim i vështirë nën drejtimin e legjendës Marc Van Bommel, u mbyll me titullin kampion, të cilin Antwerp e fitoi për herë të parë pas 66 vitesh.
Antwerp, që para vitit 2021 kishte kaluar 48 sezone radhazi në ligat më të ulëta të futbollit belg, u shpall kampion i Belgjikës në lojën e fundit të sezonit, me një supergol në minutën e 94-të nga Toby Alderweireld kundër Genku, të cilët deri në atë moment ishin duke u shpallur kampion.

Me 27 paraqitje (21 si titullar), Arbnor Muja u katapultua nga Superliga e Kosovës në ligën e 8-të më të fortë në Evropë – ku arriti të realizoi 3 gola dhe 3 asistime. Përveç titullit kampion, Muja fitoi edhe Kupën e Belgjikës ku shënoi 1 gol.
Pjesë e sukseseve të Royal Antwerpit ishte edhe Laurit Krasniqi nga Ferizaji, por 21 vjeçari e kaloi sezonin me ekipin e dytë duke shënuar 1 gol në 19 ndeshje.
Aro Muric – kampion në Ligën e Dytë të Anglisë
Pas një sezoni të suksesshëm në Turqi me Adana Demispor, Aro Muric, u rikthye në ishullin britanik duke u transferuar te Burnley që udhëhiqej nga ish bashkëlojtari i tij te Manchester City, Vicent Kompany.
Aro pati sezonin më të suksesshëm të karrierës së tij, ku arriti promovimin në Premier Ligë duke fituar kampionatin me 101 pikë. Aro u paraqit në 41 ndeshje, duke mbajtur portën e paprekur në 19 raste, ndërkohë që pranoi vetëm 31 gola gjatë gjithë sezonit – më së paku në ligë.
Donat Rudhani – kampion i Zvicrës
24 vjeçari i lindur në Kamenicë iu bashkua Young Boys nga FC Aarau për 500 mijë euro. Rudhani bëri 25 paraqitje në Superligën zvicerane duke arritur të fitojë titullin dhe Kupën.
Ndonëse ishte sezoni i parë te klubi më i suksesshëm i Zvicrës në 10 vitet e fundit, Rudhani arriti të luante mjaft shumë, duke kontribuar edhe me katër asistime në kampionat dhe nga një gol në Kup dhe Ligë të Evropës.
I aftë të luajë në mesfushë por edhe në krahët e mbrojtjes, Rrudhani pritet të këtë rol edhe më të madh në Përfaqësuesën e Kosovën me të cilën ka zhvilluar 9 ndeshje.

Pjesë e Young Boys dhe bashkëlojtar i Rrudhanit ishte edhe Kastriot Imeri i cili ka vendosur të luajë për kombëtaren helvete.
Të tjerët
Vedat Muriqi
I transferuar në verë te Mallorca,“Pirati“ pati sezon fantastike në La Liga, duke shënuar 15 gola dhe dhuruar 3 asistime në 35 ndeshje (pjesëmarrës në 48% e të gjitha golave të Mallorcas). Me vetëm 50 paraqitje, Muriqi tashmë është golashënuesi i 10-të më i miri në histori të Mallorcas në La Liga, teksa vetëm Dani Guiza (27) dhe Samuel Etoo (17) kanë shënuar më shumë gola brenda një sezoni në shekullin XXI se ai.

Muriqi udhëhoqi Mallorcan drejt vendit të 9-të në La Liga, pozita ma e lartë që nga viti 2012.
Edon Zhegrova
Katër herë kampion i Francës, Lille e mbylli sezonin në vendin e 5-të, duke arritur kualifikimin në Conference League në ndeshjen e fundit.
Për Edon Zhegrovën ky ishte një sezon relativisht i mirë, ku arriti të shënojë 3 gola dhe realizoi 5 asistime në 22 paraqitje në kampionat. Ndonëse roli i tij ishte shpesh të inkuadrohej nga banka, Zhegrova ishte lojtari i 4-të më i vlerësuar te Lille këtë sezon sipas “Whoscored” me notën mesatare 7.08.
Këtë sezon Zhegrova konfirmoi se mund ta bëjë ndryshimin në njërën nga ligat më të forta në Evropë, teksa nuk përjashtohet një transferim eventual te ndonjë ekip më i madh gjatë afatit kalimtar të verës.
Elbasan Rashani
Ndonëse në një rol më të ndryshëm nga çfarë jemi mësuar ta shohim, Elbasan Rashani kaloi një tjetër sezon shumë të mirë në Ligue 1 me Clermont Foot.
30 vjeçari që ishte pa klub në janarin e viti 2021, u paraqit në 32 ndeshje në Ligue 1, ku arriti të shënoi 3 gola dhe dhuroj 3 asistime, duke ndihmuar kështu skuadrën e tij ta mbyll sezonin në vendin e 8-të në tabelë – pozita më e lartë në histori të klubit.
Momenti më i mirë i këtij sezoni erdhi në ndeshjen e fundit në kampionat, ku dhuroi një asistim kundër PSG-së që veçse ishte shpallur kampion.
Një sezon i përshkruar nga lëndimet bëri që Arbër Zeneli të paraqitej në vetëm 23 ndeshje për Reims, ku arriti të asistoi 3 herë. Mërgim Vojvoda realizoi 5 asistime në Serie A për Torinon, Florent Muslija shënoi 10 gola nga pozita e mesfushorit për Paderbornin në Bundesliga 2, Ermal Krasniqi shënoi 4 gola për Cluj në vetëm 9 paraqitje në kampionat, Mirlind Daku “shpërtheu” në Slloveni me 22 gola në të gjitha garat për NS Mura, Emir Sahiti gjeti portën 4 herë duke dhuruar edhe 3 asistime për Hajdukun e Splitit në Kroaci, Lirim Kastrati pati rekord të ngjashëm me 4 gola dhe 5 asistime në Hungari me Mol Fehevar. Ibrahim Dresevic u paraqit në 32 ndeshje për Karagumruk në Superligën turke, ndërkohë Leart Paqarada ishte njëri nga më të mirët te St. Pauli 10 asistime dhe 3 gola të realizuar në 31 paraqitje në Bundesliga 2./VAR Kosova/




























