Mbetet vetëm firma në kontratë dhe prezantimi zyrtar. Por nuk ka dyshime dhe një tjetër futbollist i kombëtares së Shqipërisë do të jetë pjesë e Serisë A duke nisur nga ky sezon.

Mesfushori nga Ferizaj, Ylber Ramadani, i bashkohet “kolonisë” kuqezi në kampionatin italian me skuadrën e Lecce.

Pas tratativave të gjata në merkaton e verës, klubi italian ka arritur të marrë shërbimet e mesfushorit, që mbylli sezonin e fundit si protagonist në Skoci me skuadrën e Aberdinit.

Mediat angleze dhe ato përtek Adriatikut konfirmuan transferimin e Ramadanit, duke zbuluar edhe detajet financiare.

Leçe ka paguar 1.2 milion euro për të blerë përfundimisht kartonin futbollistit 27 vjeçar, ndërsa Aberdin do të ruajë 10% të tij në rast të rishitjes së futbollistit.

Gjatë së enjtes, Ramadani do të zhvillojë testet mjekësore dhe më pas do të firmosë kontratë 3-vjeçare me klubin verdhekuq dhe do të bëjë prezantimin zyrtar.

Mesfushori i kombëtares shqiptare bën kapërcimin e madh në karrierë, duke u transferuar në një prej kampionateve më të rëndësishëm dhe më të fortë të futbollit europian.

Një arritje e merituar, pas sezonit të fundit të shkëlqyer me Aberdin, ku luajti 44 ndeshje, shënoi 1 gol dhe dha 3 asist.