Futbollisti i kombëtares së Egjiptit dhe skuadrës angleze të Liverpoolit, Mohamed Salah bëri thirrje për mbështetje për banorët e Gazës. Ai shpërndau një video në llogaritë e tij në rrjetet sociale, duke thënë se nuk është e lehtë të flasësh në kohë si këto.
“Gjithë ky brutalitet dhe dhunë që të thyen zemrën. Është shumë keq të dëshmosh tensionet e javës së fundit. Të gjitha jetët janë të shenjta dhe duhet të mbrohen. Kjo duhet të ndalet. Familjet janë të ndara nga njëra-tjetra. Duhet të lejohet të vijë ndihma humanitare në Gaza. Njerëzit atje janë në gjendje shumë të keqe”, tha Salah.
Duke iu drejtuar liderëve botërorë, futbollisti 31-vjeçar tha: “Skenat në spital ishin shumë të frikshme. Populli i Gazës ka nevojë për ujë, ushqim dhe mbështetje mjekësore. Unë u bëj thirrje të gjithë liderëve botërorë të bashkohen për të parandaluar vrasjet e mëtejshme të njerëzve të pafajshëm. Njerëzimi duhet të fitojë”.
Drejtori ekzekutiv i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, e cila merret me ndihmën për Rripin e Gazës, Rami al-Nazar tha më herët se Salah kishte ndihmuar palestinezët.
“Mohamed Salah dhuroi fonde për popullin palestinez”, tha Nazar, duke shtuar se kjo nuk ishte diçka e pazakontë për Salah dhe se nuk ishte hera e parë që ai e kishte bërë këtë brenda apo jashtë Egjiptit.
Ndërkohë klubi nga Bundesliga, Mainz, ka suspenduar sulmuesin holandez, Anwar el Ghazi për postimin në rrjetet sociale rreth luftës mes Hamasit dhe Izraelit, që klubi e ka quajtur të “papranueshëm”. Ndërkohë, në Francë, Nice ka marrë një veprim sikurse Mainzi. Reprezentuesi i Algjerisë, Youcef Atal, është pezulluar nga klubi për një postim në rrjetet sociale në lidhje me konfliktin Izrael – Hamas.




























