Kombëtarja shqiptare mungon, por vendi ynë tregon edhe njëherë mikpritjen kur bëhet fjalë për organizime madhore. UEFA i ka besuar një kompeticion të rëndësishëm Federatës Shqiptare të Futbollit, për ta konfirmuar kështu besimin ndaj institucionit numër 1 të futbollit në vendin tonë. FSHF do të organizojë sfidat kualifikuese të grupit A7, të vlefshme për Kampionatin Europian U-19 për vajza, e ku marrin pjesë përfaqësueset e Serbisë, Bjellorusisë, Skocisë e Islandës. Ndeshjet do të luhen në stadiumet ‘Air Albania’ dhe ‘Elbasan Arena’ në datat 24, 27 dhe 30 Tetor të këtij viti.
UEFA ka vendosur që këto ndeshje të luhen në Shqipëri, duke ia besuar FSHF-së organizimin e këtij raundi të parë të kualifikueseve të kampionatit europian për këtë grupmoshë. Të gjitha skuadrat do të akomodohen në Durrës dhe do të stërviten në vendin tonë përgjatë periudhës së përcaktuar nga UEFA. Ky është turneu i 7-të që organizohet në Shqipëri nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, ndërsa duhet theksuar se institucioni i futbollit shqiptar ka organizuar edhe shumë ndeshje miqësore të grupmoshave të ndryshme përgjatë këtij viti futbollistik. Një besim që vjen pas atij të pak ditëve më parë, ku UEFA zgjodhi Shqipërinë për të pritur finalet e Europianit 2025 për grupmoshën deri në 17-vjeç.




























