Ndeshja me Andorrën, të cilën Kosova e fitoi 3:0, është më e vështira në karrierën e deritashme të Primozh Glihas. Kështu ka thënë vetë slloveni Gliha në një intervistë për sajtin e njohur kroat “index.hr”.

Kosova më 12 tetor fitoi 3:0 ndaj Andorrës në Andorra la Vella. Ishte fitorja e parë e Kosovës në kualifikime për “Euro 2024”.

“Gjatë karrierës, si selektor i të rinjve të Sllovenisë, kam fituar ndaj kampiones së botës, Serbisë. Kam barazuar me Francën dhe Portugalinë, por a e dini se cila ishte ndeshja më e vështirë në jetë? Kjo e fundit ndaj Andorrës, të cilën e kemi fituar 3:0. Pikërisht për faktin se i jam frikësuar reagimit të lojtarëve të mi. Jo të tyre, por tanëve. Jam frikësuar se a do ta kemi atë 1 për qind për të cilin flas vazhdimisht”, ka thënë Gliha.

Kosova e Andorra luajtën 1:1 më 28 mars në Prishtinë. Atëbotë përzgjedhës ishte Alain Giresse. Sipas Glihas, që erdhi në vend të francezit Giresse, ai barazim ishte vendimtar në këto kualifikime.

“Nëse nuk je në 100 për qind, pavarësisht se sa i fortë je, lehtë mund të vije deri te befasia. Treguesi më i mirë është barazimi i Kosovës sime me Andorrën. Ai rezultat ka groposur ambiciet në fillim të kualifikimeve. Unë vazhdimisht u them lojtarëve që 99 për qind nuk vlen asgjë. Vetëm nëse je në maksimum pa asnjë kalkulim, atëherë do të materializosh kualitetin. Futbolli i sotëm është i tillë. Nuk ka kundërshtar të lehtë dhe nëse nuk je në 100 për qind, secili mund të shkaktojë probleme. Andorra mori pikë ndaj nesh, më pas Bjellorusia. Pastaj Bjellorusia mori pikë ndaj Zvicrës. E tëra është në atë 1 për qind”, ka thënë Gliha.

Tekniku slloven nuk është befasuar me fitoren e Ballkanit ndaj Dinamo Zagrebit. Ai ka lënë të kuptohet se Dinamo e ka nënçmuar kampionin kosovar.

“Për mua debakli i Dinamos në Prishtinë nuk është asnjë lloj befasie. Edhe para ndeshjes kam thënë që Dinamo do të ketë probleme të mëdha. Pikërisht për atë 1-përqindëshin e famshëm që e përmend vazhdimisht. Sot kur e nënçmon kundërshtarin, je i mbaruar. Dinamo nuk e ka më Bobanin apo Prosineqkin që të shkojë atje dhe të thotë që do të fitojë lehtë ndeshjen”, ka thënë Gliha.