Pas serisë prej 14 ndeshjeve pa humbje, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pas një muaji do të nisë me takimet shumë më sfiduese. Për herë të parë futbollistet e Kosovës do të luajnë në Ligën B.
Në fakt, më 3 prill nisin kualifikimet për Kampionatin Evropian që vitin e ardhshëm mbahet në Zvicër. Faza e parë e kualifikimeve është e njëjtë me Ligën e Kombeve të UEFA-s. Përfaqësueset evropiane të futbollisteve janë të ndara në tri nivele, përkatësisht në tri liga, varësisht nga rezultatet që kishin në edicionin e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Kosova e kishte fituar grupin në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe kështu është graduar në Ligën B.
Shorti për fazën e parë të kualifikimeve për “Euro 2025” tërhiqet të martën prej orës 13:00 në Nyon. 16 përfaqësueset më të mira evropiane do të garojnë në Ligën A. Përfaqësueset prej pozitës 17 deri në 32 garojnë në Ligën B, ndërsa përfaqësueset prej pozitës 33 deri në 51 janë në Ligën C.
Kosova është në Ligën B, pra qëndron më mirë se 19 përfaqësuese evropiane që janë në Ligën C.
Për short, Kosova do të jetë në vazon e katërt. Në këtë vazo është prapa Maltës e Izraelit dhe para Azerbajxhanit. Sipas rreshtimit, prapa Kosovës janë plot 20 përfaqësuese evropiane.
Në Ligën B do të formohen katër grupe me nga katër përfaqësuese. Në vazon e parë janë Portugalia, Zvicra, Skocia dhe Uellsi. Në vazon e dytë bëjnë pjesë Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kroacia dhe Hungaria. Vazon e tretë e përbëjnë Sllovakia, Irlanda e Veriut, Ukraina dhe Turqia. Kosova në grup do të ketë nga një përfaqësuese prej secilës vazo, pos Serbisë e Bosnjë-Hercegovinës. Përballjet Kosovë – Serbi dhe Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë nuk i lejon UEFA.



























