Erling Haaland, i cili ka shënuar 101 gola në tre sezone te Manchester City, ka një kontratë me klubin deri në vitin 2027, por largimi i mundshëm i trajnerit Pep Guardiola mund të nënkuptojë edhe largimin e tij.

Ylli norvegjez është i kënaqur me situatën e tij aktuale në Etihad Stadium, por ai ka shprehur dyshime të herëpashershme për projektin e tij afatgjatë në Manchester. Si rezultat, drejtuesit e klubit duan t’i ofrojnë një kontratë të re për të rritur klauzolën e tij të largimit prej 175 milionë £.

Por, sipas gazetës Sport, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i gatshëm të prishë planet e Manchester City-t. Gjigantët katalanas dëshirojnë të përfitojnë nga largimi i mundshëm i Guardiolës për t’i ofruar Haaland-it mundësinë për të qenë ylli kryesor në Camp Nou të ri, në përpjekje për të mposhtur rivalët e përjetshëm, Real Madrid, në garën për shërbimet e tij.

Kryetari i Barcelonës dëshiron ta bëjë 24-vjeçarin një nënshkrim të bujshëm përpara përfundimit të mandatit të tij në vitin 2026. Robert Lewandowski është aktualisht sulmuesi kryesor i ekipit, por polaku është 36 vjeç dhe do të duhet të zëvendësohet në sezonet e ardhshme.

Ndërkohë, dëshira e Haaland-it ka qenë gjithmonë të ndërtojë një karrierë si ajo e Cristiano Ronaldos dhe Zlatan Ibrahimoviçit, duke pasur sukses në liga të ndryshme gjatë zhvillimit të tij profesional.

E ardhmja e yllit norvegjez mbetet ende e pasigurt, por Barcelona është e vendosur të negociojë me të dhe rrethin e tij të ngushtë derisa të përmbushen planet e tyre ambicioze.