Më 15 nëntor nga ora 20:45 në “Arena Nationala” në Bukuresht, Rumania e Kosova zhvillojnë ndeshje vendimtare për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Pas katër xhirosh, Rumania udhëheq në grup me 12 pikë, ndërsa Kosova është e dyta me nëntë pikë. 

Rumania është në përparësi të madhe në garën për vendin e parë në grup, që siguron avancimin në Ligën B dhe mund të ofrojë rast shtesë për kualifikim në Botëror. Në Prishtinë, më 6 shtator, rumunët fituan 3:0. Ndeshjet me Qipron e Lituaninë i kanë fituar si Kosova ashtu edhe Rumania dhe kjo nuk pritet të ndryshojë deri në fund. Kështu që vendimtare do të jetë ndeshja në Bukuresht.

Interesimi për këtë ndeshje ishte shumë i madh. Por vetëm te tifozët e Rumanisë. 48 mijë e 957 biletat që dolën në shitje për tifozët e Rumanisë janë shitur brenda tri ditësh. Disa janë me ftesa dhe Rumania do ta ketë përkrahjen e 49 mijë e 300 shikuesve.

Por sa tifozë do t’i ketë Kosova në “Arena Nationala”?

Më 28 tetor, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi që dolën në shitje biletat për ndeshjen në Bukuresht, për sektorin e tifozëve të Kosovës. Biletat mund të blihen përmes një platforme online të Federatës rumune, deri më 8 nëntor. 

Në dispozicion të përkrahësve të Kosovës janë 674 bileta, në sektorin 356. Çmimi i tyre është 7 euro. Dhe deri të premten në mesditë janë blerë vetëm 25 bileta në këtë sektor. Në bazë të trendit momental, përkrahja e Kosovës nga tribunat do të jetë shumë, shumë e vogël. Në krahasim me 49 mijë rumunët, dhjetëra tifozët e Kosovës as që do të dëgjohen.

Tifozët e Kosovës, “Dardanët”, deri më tani nuk kanë paralajmëruar udhëtimin për në Rumani. Nuk ishin as në ndeshjen e kaluar, në të cilën kishte fyerje të shumta ndaj Kosovës e shqiptarëve. Në ndeshjen e fundit drejtuesit e këtij tifo-grupi kanë pasur përplasje me kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani dhe me lojtarët e tjerë të Kosovës. Por deri më tani nuk kanë njoftuar se do të thërrasin “Kosova, Kosova” në ndeshjen vendimtare në Rumani.

Ndeshja pritet të ketë edhe tensione. Rumunët janë fyer rëndë në Prishtinë në ndeshjen e shtatorit.

Kosova ishte fyer rëndë në Bukuresht në ndeshjen e kaluar. Dhe kjo nuk pritet të ndryshojë.
UEFA ka dënuar rëndë FFK-në për shkeljet e bëra në ndeshjen me Rumaninë, ndër të tjera për fishkëllimin e himnit rumun. Pritet të ketë punë edhe për ndeshjen në Bukuresht.

Tifozë rumunë ishin në Prishtinë vitin e kaluar. Madje thirrën “Kosova është Serbi”. U larguan nga stadiumi me forcë, pa përfunduar ndeshja. Ata nuk ishin në “Fadil Vokrri” në ndeshjen e shtatorit.