Peja e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.

Të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Peja fitoi ndaj Sigal Prishtinës me tri pikë dallim, 74:71. Çerekfinalja zhvillohet në dy ndeshje. Ndeshja e kthimit është pas një jave në Prishtinë. Rezultati i ndeshjes së parë e lë plotësisht të hapur garën për vend në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Ndeshja ishte interesante dhe me fund dramatik. Çerekun e parë e fitoi Peja me rezultat 20:16. Prishtina u përgjigj në çerekun e dytë, të cilin e fitoi 23:21.

Në pushimin e gjatë në epërsi prej dy pikësh ishte Peja, 41:39.

Në çerekun e tretë Prishtina u shkëput deri në tetë pikë, 56:48. Por vendasit u afruan në katër pikë, 58:54. Me të nisur çereku i katërt Peja kaloi në epërsi 59:58 me një treshe të Dardan Berishës. Më pas është zhvilluar lojë e fortë, por Peja nuk ka lëshuar epërsinë. 

Tristan Ikpe ishte më i miri te Peja me 23 pikë e gjashtë kërcime. Berisha i realizoi 16 pikë, ndërsa 10 pikë e shtatë kërcime i kishte Jacquez Yow. Amin Hot i realizoi nëntë pikë, katër kërcime e pesë asistime.

Te Prishtina u dallua Josh Nzeakor me 22 pikë e tetë kërcime. Damiree Burns i kishte nëntë pikë e dhjetë kërcime.