Oleksandr Usyk ka konfirmuar statusin e tij si boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë në botë, duke e mposhtur të shtunën Tyson Furyn në rimeç.

Fitorja e ukrainasit jep sinjale të meçeve interesante që mund të realizohen gjatë vitit 2025 e po ashtu sjell pyetje për të ardhmen e disa prej boksierëve më të mëdhenj.

A do ta kemi më në fund duelin Fury – Anthony Joshua? A do ta fitojë Daniel Dubois revanshin ndaj Usykut. Cilat luftëra do të realizohen dhe cilat janë të mundshme?

BBC Sport ka bërë një analizë të skenës së kategorisë së rëndë të boksit profesionist.

Cilat luftëra janë të konfirmuara?

Lufta e ardhshme për titull të botës është ajo e Duboisit ndaj Joseph Parkerit, më 22 shkurt. Dubois e mbron titullin në versionin IBF.

Dueli do të ketë ndikim të madh në atë se cilat luftëra do të realizohen në të ardhmen.

Në atë mbrëmje është një tjetër përballje interesante e kategorisë së rëndë. Kinezi Zhilei Zhang do të jetë përballë të pamposhturit nga Gjermania, Agit Kabayel. Kjo luftë do të ketë rëndësi të madhe për të ardhmen e të dyve.

Ndërkohë veterani Derek Chisora përballet me Otto Wallinin në Manchester më 8 shkurt. Boksierët e tjerë të kategorisë së rëndë nuk kanë luftëra të aranzhuara, duke përfshirë kampionin e pamposhtur britanik, Fabio Wardley.

A mundet vërtetë të kthehet Usyku në kategorinë kruzer?

Lufta e ardhshme e Usykut do të varet nga rezultati i meçit mes Duboisit dhe Parkerit.

Kampioni i padiskutueshëm i botës në dy kategori të ndryshme, Usyk, ka paralajmëruar kthimin në kategorinë kruzer. Por kjo duket më shumë dëshirë personale se diçka që ka kuptim në aspektin financiar.

Duboisi do ta konsiderojë veten sfiduesin kryesor të Usykut dhe është i përkushtuar ta vërë përballë ukrainasin, pas humbjes në vitin 2023. Nëse Dubois e mposht Parkerin, një luftë me Usykun mund të realizohet në verën e vitin 2025.

Nëse eventualisht Parker shënon fitore, Dubois mund të kërkojë revansh. Joshua mund të kërkojë po ashtu titullin në versionin IBF, marrë për bazë që ka mposhtur Parkerin në vitin 2018.

Por cilat janë gjasat që 37-vjeçari Usyk ta përfundojë karrierën?

Ish-boksieri Anthony Crolla, thotë se Usyku tashmë ka arritur “pavdekshmërinë” në boks.

“Ai është dashur të vendosë dorezat në mes të ringut, pas fitores ndaj Furyt, dhe të largohet si kampion i madh”, ka thënë Crolla.

Vendimi i madh i Furyt

Fury 36-vjeçar, është në udhëkryq. Ai mund të pensionohet apo të aranzhojë meçin e shumëpritur me Joshuan.

Besohet se Fury do të vazhdojë karrierën. Ai ka shpallur pensionimin disa herë në të kaluarën, por ka hequr dorë më pas.

Joshua po ashtu do të vazhdojë.

Dy britanikët janë duke marrë veten pas humbjeve dhe janë pa tituj. Kështu që do të mund të ishte kohë e përkryer për një duel mes tyre.

Cili është sfiduesi kryesor i gjeneratës së re?

Është një pyetje e vështirë. Profili i Dubois është rritur prej se e mposhti Joshuan në shtator. Me 27 vjet ai është njëri prej të rinjve të paktë që i takojnë elitës së kategorisë së rëndë.

Ai është më i ri se të gjithë rivalët direktë, duke përfshirë Furyn, Usykun e Parkerin. Britaniku tjetër, Moses Itauma është po ashtu me potencial.

19-vjeçari e mposhti Demsey McKeanin në raundin e parë të shtunën. Ishte paraqitje impresive ndaj boksierit që ka përvojë dukshëm më të madhe.

Pasi 25-vjeçari Johnny Fishes vuajti ndaj Dave Allen, Itauma është shpresë e madhe për të ardhmen e kategorisë së rëndë.

Ka të tjerë që shpresojnë që mund të sfidojnë titujt e mëdhenj si Martin Bakole, Justis Huni e Thomas Carty. Tjetër boksier që ia vlen të përmendet është Lawrence Okolie (31), që kaloi nga kategoria kruzer në kategorinë e rëndë.

Skena e kategorisë së rëndë do të vazhdojë të ofrojë momente dramatike. Por momentalisht ka shumë të panjohura.