Në podiumin e garave të mëdha, për herë të parë në karrierë Lara Colturi ishte ngjitur në fundin e nëntorit të vitit të kaluar. Ajo kishte zënë vendin e dytë në garën e Kupës së Botës në Gurgl të Austrisë, në sllallom.

Tjetër vend të dytë në Kupë të Botës, Colturi ka zënë të shtunën në Slloveni, në garën e sllallomit të madh.

Shtegu në Kranjska Gora nuk ishte fare i lehtë. Por të lehtë e bëri të dukej 18-vjeçarja italiane, e cila nga viti 2022 e përfaqëson Shqipërinë.

Garën e së shtunës e fitoi kampionia olimpike, Sara Hector. Suedezja Hector e fitoi garën e dytë të Kupës Botërore në këtë sezon dhe ishte e pandalshme. Arriti në finish për 1.42 sekonda më shpejt sesa garuesja e Shqipërisë.

Me fitoren e së shtunës, Hector i prin edhe listës së përgjithshme të skitareve me 407 pikë, 24 më shumë se Camille Rast e Zvicrës.

Podiumin e plotësoi garuesja nga Zelanda e Re, Alice Robinson.

“Kisha me të vërtetë besim në javën e fundit dhe më në fund kam bërë dy lëshime shumë të mira”, ka thënë Colturi menjëherë pas garës.

Koha e saj pas dy lëshimeve ishte 1:56.28 minuta.

Colturi e pranon se nuk ka qenë fare e lehtë që të garohet në Kranjska Gora, për shkak të ngricave. Por ajo thotë se e ka shijuar çdo moment.

“Nuk ka qenë fare e lehtë, por jam munduar të jem e koncentruar, të kënaqem dhe ta shfaq më të mirën nga vetja, duke e përsëritur lëshimin e parë. Kisha vetëbesim pasi stërvitjet në javën e fundit kanë shkuar mirë. Unë po rritem. Rrugëtimi deri tani ka qenë i bukur. Jam e kënaqur me këtë rezultat”.

Lara Colturi është vajza e Daniela Ceccarellit, ish-kampione olimpike. Ceccarelli e kishte fituar medaljen e artë në disiplinën Super-G në vitin 2002, në Salt Lake City.

Colturi e pranon se karriera e nënës së saj ka qenë mbresëlënëse dhe se i duhet shumë punë për ta arritur nivelin e saj. Nëna e Colturit në tri raste ishte edhe në podiumin e Kupës Botërore, e dyta në disiplinën Super-G në St. Moritz në vitin 2001, e treta në disiplinën e lëshimit në Cortina d’Ampezzo në janar të vitit 2002 dhe e dyta në Val d’Isere në dhjetor të vitit 2002, në Super-G.

“Karriera e nënës time ka qenë e shkëlqyer, njësoj ka nisur edhe e imja. Kjo është gjë shumë e bukur”, është shprehur Colturi për mediumin italian “Rai”.

49-vjeçarja Ceccarelli, që është edhe trajnere e Colturit, i qëndron afër vazhdimisht, bashkë me burrin, Alessandro Colturi.

“Si nënë vuaj shumë dhe nuk e shoh asnjëherë kronometrin. E shoh vetëm atë në pistë dhe kur arrin mirë në fund, jam shumë e lumtur. Sot ajo skijoi shumë mirë. Kemi ushtruar shumë dhe tani ky është rezultati që kemi arritur. Është shenjë se jemi në rrugën e duhur. Lara ka stërvitur fort dhe rezultati ishte paksa i pritshëm”, ka deklaruar Ceccarelli për “Rai”.

Të shtunën në Kranjska Gora nuk ka garuar njëra prej skitareve më të mira në histori. Mikaela Shiffrin nuk mori pjesë për shkak të një lëndimi.

Ndërkohë, legjenda e skitarisë, Lindsey Vonn, e cila u rikthye në Kupën Botërore në Zvicër më 21 dhjetor pas afro gjashtë vjetësh pas pensionimit, garon vetëm në garat e shpejtësisë, në disiplinën e lëshimit dhe në Super-G.

Ajo do të kthehet në shteg në javën e ardhshme, në St. Anton të Austrisë.

Gara e radhës në sllallom do të mbahet të dielën, po në Kranjska Gora, ndërsa nga Colturi synohet suksesi i radhës.

Kupa e Botës është seri e garave kryesore të skijimit alpin.