Mesfushori shqiptar Ardon Jashari, e ka vlerësuar arritje të madhe kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Belgjikës. Por ai thotë se te skuadra e tij, Club Brugge, fokusin e kanë në derbin ndaj Anderlechtit.

Ndeshja Anderlecht – Club Brugge luhet të dielën dhe i takon javës së 21-të të elitës së futbollit belg.

Ndeshja nis në ora 18:30. Club Brugge është në vendin e dytë me 41 pikë, kurse në vendin e tretë është Anderlechti me 33 pikë. Lider është Genku, skuadër me të cilën Club Brugge do të përballet në gjysmëfinale të Kupës. Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës luhet më 15 janar, kurse e kthimit më 5 shkurt. 

Jashari shkëlqeu të martën në ndeshjen çerekfinale të Kupës ndaj Leuvenit. Club Burgge e fitoi 3:0 ndeshje, ndërsa në golin e parë asistues ishte Jashari.

“Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Ndeshjet për Kupë janë gjithmonë të vështira, pavarësisht kundër kujt luan. Ne shënuam në pjesën e parë, por duhej të bënim gjëra edhe më të mira. E përfunduam shumë mirë edhe pjesën e dytë. E zgjidhëm mirë pjesën e dytë. Më pas morëm shumë më shumë hapësirë prej tyre dhe shënuam sërish. Është fat që nuk pësuam gol në pjesën e parë. Kështu që më në fund arritëm ta mbajmë portën e zbrazët. Dy ndeshje tjera në gjysmëfinale. Ne e dimë këtë. Le të pushojmë mirë tani për ndeshjen e së dielës dhe pastaj do të vazhdojmë të mendojmë për ndeshjet e Kupës”, ka thënë Jashari. 

Jashari, 22-vjeçar iu bashkua Club Brugget në verën e vitit të kaluar nga Luzerni. Në 24 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual ka shënuar dy gola dhe katër asistime.