Qendërmbrojtësi i Espanyolit, Marash Kumbulla, ka thënë të enjten se dy ndeshjet e ardhshme që do të luhen në “RCDE Stadium”, do të jenë vendimtare për të ardhmen e skuadrës nga Katalonja.

Ai ka thënë se Espanyoli duhet t’i fitojë gjashtë pikë nga dy ndeshjet për t’i shpëtuar rënies nga elita e futbollit spanjoll.

“Duhet të dalim me mentalitet fitues në fushë për të fituar dy ndeshjet”, ka thënë Kumbulla të enjten në konferencën për shtyp. Ai insiston se Espaynoli duhet t’i fitojë gjashtë pikë nga dy ndeshjet. Sfidën e parë e ka të shtunën nga ora 18:30. Espanyoli e pret Leganesin fillimisht në ndeshjen e xhiros së 19-të të La Ligas, ndërsa më 17 janar, përballet me Real Valladolidin.

“Duhet të mendojmë për ndeshjen e parë. Nëse fokusohemi për duelin tjetër, do ta humbim përqendrimin te dueli i parë”.

24-vjeçari Kumbulla u huazua nga Roma në gusht të vitit të kaluar, dhe do të jetë pjesë e klubit spanjoll deri në verën e këtij viti. Vlerësohet si njëri prej lojtarëve kryesorë tek Espanyoli.

Ai shtoi se pushimi dimëror i është nevojitur shumë Espanyolit.

“Po punojmë shumë mirë, fort, dhe besoj shumë se në dy ndeshjet e ardhshme do të marrim rezultat pozitiv”, ka shtuar Kumbulla.

Espanyoli në edicionin aktual nuk ka pasur kampanjë të suksesshme deri tani.

Aktualisht zë pozitën e 18-të me 15 pikë në 18 ndeshje, vend ky që nuk siguron mbetjen në elitën spanjolle të futbollit.

Espanyoli ka shënuar 16 gola ndërsa ka pranuar plot 30. Por, sipas Kumbullës, fajtor për këtë statistikë negative nuk është vetëm faza e mbrojtjes.

Nga 30 gola kanë pësuar edhe Villarreali e Deportivo Alavesi. Mbrojtjen më të dobët e ka Valladolidi me 37 gola të pranuar.

“Nuk është vetëm faji i fazës defensive. Është detyrë e gjithë ekipit, nga sulmuesit deri te portieri”, ka deklaruar Kumbulla, duke kërkuar përmirësimin e të gjithëve.

Kumbulla ka thënë se është i kënaqur në aspektin individual, pasi është njëri prej titullarëve të padiskutueshëm në ekip. Ndërkohë, ka folur edhe për të ardhmen.

“E kam pritur një gjë të tillë, por nuk e kam ditur se do të vinte kaq shpejt. Kjo po ndodh edhe falë bashkëlojtarëve dhe stafit të trajnerëve, të cilët më kanë ndihmuar nga fillimi. Sa i përket të ardhmes, dua të them se jam i fokusuar vetëm në fushë. Kemi objektiv shumë të rëndësishëm dhe nuk dua që të më shpërqendrojë diçka tjetër. Po e mendoj vetëm ndeshjen me Leganesin këtë të shtunë”, ka insistuar Kumbulla.

Kumbulla si futbollist është zhvilluar te Hellas Verona në Itali. Pati paraqitje shumë të mira, të cilat ia siguruan edhe kalimin te Roma në shtator të vitit 2020, fillimisht në formë huazimi. Transferimi i plotë u bë më 1 korrik të vitit 2021 për 26.50 milionë euro. Pati edhe lëndime të cilat e lanë jashtë fushës për një periudhë. Si i huazuar luajti edhe te Sassuolo.

Me Espanyolin në edicionin aktual e ka një gol të shënuar në 17 ndeshje në La Liga e Kupë të Mbretit.

Kumbulla ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Shqipërisë, ndërsa me Kombëtaren A ka zhvilluar 22 paraqitje.

Ndeshjen e fundit me Shqipërinë e ka luajtur më 11 tetor të vitit të kaluar, në disfatën 2:0 nga Republika e Çekisë.