Oliver Kahn vlerësohet legjendë e futbollit në Gjermani. 55-vjeçari ishte portier i Bayernit nga viti 1994 deri në vitin 2008, ndërsa për Gjermaninë i ka zhvilluar 86 ndeshje. Lista e sukseseve të tij është e gjatë, ndërsa Kahn ishte shef ekzekutiv i Bayernit nga 1 korriku i vitit 2021 deri më 27 maj të vitit 2023. Prejse u shkarkua nga Bayerni, ish-kampioni evropian nuk është paraqitur në televizion. Këtë fundjavë u kthye në studion sportive të ZDF-së dhe ndër të tjera ka lavdëruar mesfushorin kosovar Granit Xhaka.

Kahn foli për ZDF menjëherë pas një materiali lidhur me Xhakën dhe pyetja e parë për të ishte për situatën në Bundesligë, mentalitetin e Granitit dhe Bayer Leverkusenit.

“Granit  Xhaka ka mentalitet të shkëlqyer”, ka thënë Kahn, pas fitores 3:1 të Leverkusenit ndaj Borussia Monchengladbachut. “Te Leverkuseni ka shumë lojtarë të tipit të Granitit që marrin përgjegjësi. Leverkuseni ka një bosht shumë të mirë, i ka në përbërje të gjithë lojtarët që mund t’i kërkoni. Në përgjithësi Leverkuseni tregon nivel të lartë të cilësisë dhe gjakftohtësisë kur skuadra e ka topin”, ka vazhduar Kahn.

Për Xhakën ka folur edhe selektori aktual i Zvicrës në hendboll, Andy Schmid. Ai për kohë të gjatë ishte prej lojtarëve më të mirë në Bundesligën gjermane. Karrierën si hendbollist e zëvendësoi me atë të trajnerit dhe menjëherë u emërua selektor i Zvicrës. Zvicrën e udhëhoqi drejt fazës së dytë grupore të Botërorit që po mbahet aktualisht.

“Të bëhesh direkt selektor i ekipit nacional është më e vështirë në futboll. Por përfundimisht besoj që Granit Xhaka mund të bëhet top-trajner në ekip direkt pas karrierës si lojtar. Unë isha lojtar për kohë të gjatë. Kam luajtur në pozitë ku duhet të mendoni pak a shumë si trajner dhe për atë se çka është e vlefshme. Dhe mendoj se për Xhakën është e ngjashme si me mua”, ka thënë Schmid për “bluewin.ch”.

Xhaka po e udhëheq mesfushën e Bayer Leverkusenit, që po e vazhdon garën për titull të Bundesligës me Bayernin. Te Zvicra është kapiten dhe lider i pakontestueshëm. Xhaka shumë herë ka thënë se planifikon karrierë si trajner pasi t’i japë fund karrierës si futbollist. Shkollimin për trajner e ka nisur shumë vjet më parë.