Mbrojtësi i Real Madridit, Lucas Vazquez, u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 81-të të shtunën në barazimin 1:1 ndaj Atletico Madridit. 

Vazquez e pësoi një lëndim muskulor. 

Të hënën u raportua se spanjolli Vazquez do t’i mungojë Realit në dy ndeshjet ndaj Manchester Cityt. 

Reali të martën nga ora 21:00 do të jetë mysafir i Cityt në ndeshjen e parë të plejofit në kuadër të Ligës së Kampionëve. 

Ndeshja e dytë e plejofit ndërmjet Realit dhe Cityt do të zhvillohet më 19 shkurt nga ora 21:00. 

Mësohet se koha e rikuperimit të Vazquezit do të jetë 20 ditë. 

Për trajnerin e Realit, Carlo Ancelotti, lëndimi i Vazquezit është lajm jo i mirë pasi aktualisht të gjithë mbrojtësit kryesorë të skuadrës i ka të lënduar. 

Përpos Vazquezit të lënduar janë edhe Dani Carvajal, Eder Militao, Antonio Rudiger dhe David Alaba. 

33-vjeçari Vazquez këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje në të gjitha garat.