Nga 30 janari Federatën e Hendbollit të Kosovës e drejton Edin Kolgeci. Udhëheqësi shumëvjeçar i klubit Prishtina ishte kandidati i vetëm për kryetar të FHK-së dhe e mori besimin e delegatëve.
Kolgeci ka plane e synime të mëdha për federatën që është prej më të suksesshmeve në arenën ndërkombëtare, të paktën sa u takon sporteve ekipore në vend.

“Sikurse çdo federatë dhe çdo kryetar, planifikimet janë që të kemi kushte dhe zhvillim sa më të mirë. Kemi shumë plane dhe prioritete sidomos në muajin e ardhshëm, mirëpo në të ardhmen kemi edhe shumë projekte për zhvillimin sa më të hovshëm të hendbollit dhe disa projekte dhe plane që i kemi së bashku me ministrinë e po ashtu edhe me disa institucione ndërkombëtare”, ka thënë Kolgeci në një bisedë për KOHËN, të hënën.

FHK-ja është federata e tretë më e ranguar në vend, pas asaj të xhudos dhe volejbollit, sipas kategorizimit të MKRS-së.

Ekipet përfaqësuese të hendbollit dy herë janë paraqitur në Botëror, ndërsa kualifikimin e kanë arritur përmes rrugëve alternative, përkatësisht garës IHF Trophy.

Hendbollistët e Kosovës U21 disa vjet më parë ishin në Botërorin në Spanjë, ndërsa hendbollistet e Kosovës U18 vjet u paraqitën në Kampionatin Botëror në Kinë.

“Hendbolli ka qenë sporti më i suksesshëm kolektiv në Kosovë. Deri më tani kemi qenë sporti më i ranguar menjëherë pas xhudos. Jemi një sport që kemi marrë pjesë në dy kampionate botërore. Marrim pjesë në të gjitha garat kualifikue me Kombëtaret A të meshkujve e fermave. Kemi suksese edhe me gjenerata të reja”, ka shtuar Kolgeci.

Synim i madh i tij, por edhe i Federatës së Hendbollit të Kosovës është kualifikimi në një ngjarje madhore me ekipet përfaqësuese të seniorëve.

Hendbollistët e Kosovës janë në mes të kualifikimeve për Evropian. Kanë humbur nga Ishujt Faroe dhe kanë barazuar me Holandën. Muajin tjetër i luajnë dy ndeshje vendimtare me Ukrainën.
Ndërkohë hendbollistet e Kosovës kanë mposhtur Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën në raundin e parë kualifikues për Kampionat Botëror. Tani do të përballen me Suedinë, në muajin prill, për kualifikim në Botëror.

“Paraqitja me Kosovën A në Botëror apo Evropian është prej synimeve tona më të mëdha. Konsideroj se jemi afër, ndonëse nuk është lehtë”, ka shtuar Kolgeci.

Derisa në FHK mburren me sukseset e përfaqësueseve, garat vendore mbesin më sfiduese.

“Në edicionin aktual në Superligë nuk mund të them që kemi ndonjë ngritje apo rënie. Mendoj që është njëjtë siç ka qenë edhe në vitet e kaluara. Me shpresë që në vitet e ardhshme çdo klub me ndihmën e federatës dhe me ndihmën e kryesive të klubeve do të ketë investime më serioze që të kemi një konkurrencë më të madhe. Atëherë zhvillohet edhe liga, edhe lojtarët e edhe klubet”, ka theksuar Edin Kolgeci.

FHK-ja përfaqësohet me rreth gjashtë skuadra në çdo edicion të garave evropiane. Por ende asnjë skuadër nuk ka mundur të kalojë më shumë se një kundërshtar evropian.