Skuadra e Dritës është befasuar në ndeshjen që i takoi javës së 31-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Drita të hënën pasdite u mposht në udhëtim nga Ferizaj me rezultatin 2:1.
Për skuadrën gjilanase kjo ishte disfata e dytë rresht.
Në mesjavën e kaluar u eliminua në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës pasi u mposht nga Prishtina me rezultatin e thellë 3:0.
Vendësit kaluan të parët në epërsi me golin që e realizoi Antonio Ilieski në minutën e 48-të.
Veton Tusha në minutën e 80-të i barazoi shifrat por festa e mysafirëve zgjati shumë shkurtë pasi një minutë më pas, Fatjon Jusufi, e realizoi golin e fitores për 2:1.
Drita pavarësisht disfatës mbetet lidere me 66 pikë. Deri në fund kanë mbetur edhe pesë xhiro. Ballkani është në pozitën e dytë me nëntë pikë më pak.
Ferizaj e zë vendin e katërt me 45 pikë dhe është futur seriozisht në garë për Evropë. Vetëm tri pozitat e para dërgojnë në Evropë dhe pikërisht në vendin e tretë është Malisheva me dy pikë më pak se Ferizaj.




























